Mikea 1

Fjala e Zotit drejtuar Mikesë nga Morashtiu në ditët e Jotamit, Ahazit dhe Ezekisë, mbretërve të Judës; vegimi që pati për Samarinë e Jerusalemin.

Vaj për Samarinë dhe Jerusalemin

«Dëgjoni, o mbarë popuj,

mba vesh, o tokë, e tërë ju që jeni mbi të,

se Zoti, Zoti im, do të dëshmojë kundër jush,

Zoti im, prej tempullit të tij të shenjtë!

Ja, po del Zoti nga vendi i tij,

do të zbresë e do të shkelë mbi kreshtat e tokës.

Malet do të shkrihen nën të,

luginat do të ndahen më dysh,

porsi dylli para zjarrit,

porsi uji që derdhet rrëpirës,

krejt për faj të shkeljeve të Jakobit

e mëkateve të shtëpisë së Jerusalemit.

A nuk është Samaria shkelja e Jakobit?

A nuk janë vendet e larta të Judës Jerusalemi?

Gërmadhë do ta bëj Samarinë,

vend ku mbillen vreshta.

Do t’ia rrokullis gurët nëpër lugina,

themelet do t’ia nxjerr!

Do t’i rrënohen tërë shëmbëlltyrat që ka,

shpërblimi do t’i digjet në zjarr.

Do t’ia shkatërroj të gjitha idhujt,

se prej pagës së lavires i mblodhi

e për pagë lavireje do të shkojnë.

Për këtë do të vajtoj e do të vë kujë,

do të eci këmbëzbathur e lakuriq,

do të ulërij porsi çakalli,

do të klith porsi struci,

se plaga e saj është e pashërueshme,

mbërriti deri në Judë,

i kaploi portat e popullit tim,

deri në Jerusalem.

10 Mos tregoni gjë në Gat, as mos vajtoni,

në Betleafrah zvarrituni në pluhur.

11 O banorë të Safirit,

ikni të turpëruar e lakuriq.

Banorët e Cananit nuk dolën.

Vajton Betezeli,

nuk do ta keni më për ndihmë.

12 Banorët e Marotit presin me ngashërim,

se mbi portat e Jerusalemit Zoti dërgoi fatkeqësi.

13 Mbrehini kuajt në karroca,

o banorë të Lakishit!

Shkak mëkati ishe për bijën e Sionit,

te ti u gjend shkelja e Izraelit.

14 Ndaj dërgoji Moreshgatit

dhuratë lamtumire.

Do të zhgënjehen mbretërit e Izraelit

me shtëpitë e Akzibit.

15 Do të sjell sërish një pushtues

te ju, o banorë të Mareshahut.

Në Adulam do të shkojë

nderi i Jerusalemit.

16 Qethe e rruaje kokën

për fëmijët e tu të dashur.

Bëje kokën shogë porsi shqiponja,

se në mërgim do të të ikin».