Mateu 6

Lëmosha

«Ruhuni të mos i bëni veprat e mirae në sy të njerëzve për t’u dukur para tyre, se kështu nuk do të keni shpërblim tek Ati juaj që është në qiej. Kur të japësh lëmoshë, mos trumbeto me të madhe për të tërhequr vëmendjen, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të marrin lëvdata nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them: ata e kanë marrë tashmë shpërblimin e tyre. Por kur të japësh lëmoshë, dora jote e majtë të mos e dijë çfarë bën e djathta, në mënyrë që lëmosha jote të mbetet e fshehtë dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë».

Ati ynë

(Lk 11.2-4)

«Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t’u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t’ia kërkoni. Prandaj ju lutuni kështu:

Ati ynë që je në qiej,

u shenjtëroftë emri yt,

10 ardhtë mbretëria jote,

u bëftë vullneti yt,

si në qiell, edhe në tokë.

11 Bukën tonë të përditshmeë

na e jep sot.

12 Na i fal detyrimet tona,

siç edhe ne ua falëm detyruesve tanëf.

13 E mos na vër në sprovëg,

por na çliro nga i ligu.gj

14 Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve, 15 por nëse ju nuk do t’ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t’jua falë juve ato».

Agjërimi

16 «Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t’u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 17 Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, 18 që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejëh».

Thesari në qiell

(Lk 12.33-34)

19 «Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. 20 Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t’i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. 21 Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote».

Drita e trupit

(Lk 11.34-36)

22 «Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. 23 Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!».

Perëndia dhe Mamoni

(Lk 16.13)

24 «Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».

Kujdesi dhe ankthi

(Lk 12.22-34)

25 «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani e çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? 26 Shikoni zogjtë e qiellit! Ata as mbjellin, as korrin, as mbledhin në grunarë e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë? 27 Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 28 Po për veshjet, përse shqetësoheni? Shikoni si rriten zambakët e fushave. Ata as nuk lodhen e as nuk endin, 29 por unë po ju them se as vetë Solomoni, në gjithë madhështinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 30 Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? 31 Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. 32 Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t’jua japë edhe ato gjëra. 34 Prandaj mos u shqetësoni për të nesërmen. E nesërmja ka shqetësimet e veta. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet».


 e6.1 dorëshk. të tjera: të mos e jepni lëmoshën

 ë6.11 ose: të mbiqenësishme

 f6.12 ose: Na i fal fajet tona, siç ua falim ne fajtorëve tanë

 g6.13 ose: E mos na shtjer në tundim

 gj6.13 dorëshk. të tjera edhe: sepse e jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen!

 h6.18 dorëshk. të tjera edhe: haptas