Mateu 3

Predikimi i Gjon Pagëzorit

(Mk 1.1-8; Lk 3.1-9, 15-17; Gjn 1.19-28)

Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë:

një zë thërret në shkretëtirë:

bëni gati udhën për Zotin,

drejtoni shtigjet e tij.

Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër.

Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t’u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Jepni fryte të denja pendimi dhe mos mendoni se do t’i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t’i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. 10 Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr.

11 Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t’i zgjidh sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 12 Ai e mban në dorë terploten dhe do të ndajë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë në një zjarr që nuk shuhet kurrë».

Pagëzimi i Jezuit

(Mk 1.9-11; Lk 3.21-22)

13 Atëherë Jezui erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. 14 Por Gjoni e kundërshtoi e i tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?». 15 Jezui iu përgjigj: «Lëre për tani, se kështu duhet, që të përmbushim tërë drejtësinë». Dhe Gjoni pranoi. 16 Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji. Dhe ja, iu hapën qiejt dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur në trajtë pëllumbi e duke ardhur tek ai. 17 Atëherë u dëgjua një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur».