Mateu 28

Ngjallja

(Mk 16.1-8; Lk 24.1-12; Gjn 20.1-10)

Pas së shtunës, në mëngjes herët, Maria Magdalena dhe Maria tjetër erdhën për të parë varrin. Papritur ra një tërmet i fortë dhe një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, rrokullisi gurindh e u ul mbi të. Fytyra e engjëllit shndriste si vetëtima e rrobat i kishte të bardha si dëbora. Rojat i zuri një frikë aq e madhe, saqë u drodhën e mbetën si të vdekur. Engjëlli foli e u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin. Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënëe.

Shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t’ju thënë».

Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt. Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: «Ju përshëndes!». Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. 10 Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin».

Dëshmia e rojave

11 Ndërsa gratë ishin rrugës, disa roja shkuan në qytet e u treguan kryepriftërinjve gjithçka që kishte ndodhur. 12 Kryepriftërinjtë e pleqtë u mblodhën e pasi ranë në një mendje, u dhanë ushtarëve një shumë të madhe parash 13 e u thanë: «Ju duhet të thoni se dishepujt e tij erdhën gjatë natës kur ju po flinit dhe e vodhën trupin e tij. 14 Po ta marrë vesh qeveritari, do ta bindim ne e nuk do të lejojmë që ju të ndëshkoheni». 15 Ata morën paratë e bënë siç i mësuan.

Kështu këto fjalë janë përhapur ndër judenjtë deri në ditët e sotme.

Porosia

(Mk 16.14-18; Lk 24.36-49; Gjn 20.19-23; Vp 1.6-8)

16 Të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që u kishte thënë Jezui. 17 Kur e panë Jezuin, e adhuruan, por disa prej tyre dyshuan. 18 Jezui iu afrua e u tha: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë, 19 prandaj shkoni e mësojini të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të shenjtë. 20 Mësojini të zbatojnë gjithë sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës».


 dh28.2 dorëshk. të tjera edhe: nga hyrja

 e28.6 dorëshk. të tjera edhe: Zoti