Mateu 20

Punëtorët e vreshtit

«Mbretëria e qiejve është si i zoti i shtëpisë që doli në mëngjes herët për të gjetur punëtorë për vreshtin e vet. Pasi u mor vesh me punëtorët që t’i paguante për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. Kur doli rreth orës nëntësh, pa disa të tjerë që po rrinin pa punë te tregu e u tha: “Shkoni edhe ju në vresht e do t’ju jap aq sa është e drejtë”. Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës dymbëdhjetë e rreth orës tre. Doli edhe rreth orës pesë, gjeti të tjerë që po rrinin e u tha: “Përse rrini kot këtu gjithë ditën?”. Ata i thanë: “Sepse askush nuk na ka marrë në punë”. Ai u tha: “Shkoni edhe ju në vreshtt”. Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha nëpunësit të tij: “Thirri punëtorët e jepu shpërblimin, duke filluar nga i fundit e deri te i pari”. Kur erdhën ata që kishte thirrur rreth orës pesë, secili prej tyre mori nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, mendonin se do të merrnin më shumë, por edhe secili prej tyre mori nga një denar. 11 Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë 12 e i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës e të nxehtin”. 13 Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar? 14 Merr atë që të takon e shko. Unë do t’i jap këtij të fundit sa ty. 15 A nuk më lejohet mua të bëj ç’të dua me gjënë time? Apo ke zili që jam i mirë?”.

16 Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të funditth».

Paralajmërimi sërish i Pashkës

(Mk 10.32-34; Lk 18.31-34)

17 Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha: 18 «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 do t’ua dorëzojnë kombeve që ta tallin, ta fshikullojnë e ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet».

Mbretërimi si shërbim

(Mk 10.35-45)

20 Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka. 21 Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde». 22 Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unëu?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». 23 Jezui u tha: «Kupën time do ta piniv, por që të uleni në të djathtën e në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im». 24 Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit. 25 Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se krerët e kombeve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta. 26 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj 27 dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».

Shërimi i dy të verbërve

(Mk 10.46-52; Lk 18.35-43)

29 Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe. 30 Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». 31 Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». 32 Jezui ndaloi, i thirri e u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». 33 Ata i thanë: «Zot, duam të na hapen sytë!». 34 Jezui ndjeu dhembshuri për ta e u preku sytë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi e shkuan pas tij.


 sh20.3 Ora e parë e ditës, në ato kohë, përkon përafërsisht me orën gjashtë të mëngjesit, siç e përllogaritim në kohët e sotme, dhe ora e dymbëdhjetë e ditës përkon me orën gjashtë të mbrëmjes.

 t20.7 dorëshk. të tjera edhe: dhe do të merrni aq sa është e drejtë

 th20.16 dorëshk. të tjera edhe: sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur

 u20.22 dorëshk. të tjera edhe: dhe të pagëzoheni me pagëzimin që do të pagëzohem unë?

 v20.23 dorëshk. të tjera edhe: dhe me pagëzimin që unë do të pagëzohem, do të pagëzoheni