Mateu 2

Ardhja e dijetarëve

Kur u lind Jezui në Betlehem të Judesë, në kohën kur ishte mbret Herodi, disa dijetarë erdhën nga lindja në Jerusalem dhe pyetën: «Ku është mbreti i sapolindur i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm ta adhurojmë». Kur e dëgjoi këtë mbreti Herod, u shqetësuan ai dhe tërë Jerusalemi. Atëherë mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë e shkruesit e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Krishti. Ata i thanë: «Në Betlehem të Judesë, se kështu shkruan profeti:

e ti, Betlehem,

tokë e Judesë,

nuk je aspak më i vogli

ndër prijësit e Judesë,

sepse prej teje

do të lindë një prijës

që do të jetë bariu i popullit tim Izraelit».

Atëherë Herodi thirri fshehurazi dijetarët dhe mori vesh prej tyre kohën e saktë se kur ishte shfaqur ylli. Pastaj i nisi për në Betlehem e u tha: «Shkoni e pyesni me hollësi për fëmijën dhe kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe unë e ta adhuroj». Pasi dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u printe derisa u ndal në vendin ku ishte fëmija. 10 Kur panë yllin, ata u gëzuan shumë. 11 Si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, nënën e tij, e ranë në gjunjë dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe i dhuruan ar, temjan e mirrë. 12 Të lajmëruar në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

Ikja në Egjipt

13 Si u nisën dijetarët, engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit e i tha: «Ngrihu, merre fëmijën e të ëmën, ik në Egjipt e rri atje derisa të të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë». 14 Ai u ngrit, mori fëmijën dhe të ëmën e u nis nëpër natë për në Egjipt. 15 Qëndroi atje derisa vdiq Herodi, që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti përmes profetit: nga Egjipti e thirra birin tim.

Vrasja e fëmijëve

16 Kur mori vesh se dijetarët e kishin mashtruar, Herodi u zemërua shumë dhe dërgoi të vrisnin në Betlehem e në mbarë atë krahinë të gjithë fëmijët meshkuj dy vjeç e poshtë, sipas kohës së saktë që kishte marrë vesh nga dijetarët. 17 Atëherë u përmbush çfarë kishte thënë profeti Jeremi:

18 u dëgjua një zë në Ramah,

vajtim e gjëmë e madhe.

Rakela vajton fëmijët e saj

dhe nuk do që ta ngushëllojnë,

sepse ata nuk janë më.

Kthimi nga Egjipti

19 Kur vdiq Herodi, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 e i tha: «Ngrihu, merr me vete fëmijën dhe të ëmën e nisu për në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur». 21 Jozefi u ngrit, mori me vete fëmijën dhe të ëmën e u nis për në tokën e Izraelit. 22 Por, pati frikë të shkojë atje kur mori vesh se në Jude sundonte Arkelau në vend të Herodit, atit të tij. I lajmëruar në ëndërr, shkoi në krahinën e Galilesë 23 dhe u vendos në një qytet të quajtur Nazaret, që të përmbushej thënia e profetëve: «Do të quhet nazaretas».