Marku 9

Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do ta provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi».

Shndërrimi i Jezuit

(Mt 17.1-13; Lk 9.28-36)

Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t’i zbardhte aq shumë. Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Mësuesl, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Në të vërtetë nuk dinte ç’të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta.

Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve. 10 Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç’do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve? 11 Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». 12 Ai u tha: «Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse është shkruar se Biri i njeriut do të vuajë shumë e do të përçmohet? 13 Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur e me të bënë çfarë deshën, siç është shkruar për të».

I pushtuari nga një shpirt i ndyrë

(Mt 17.14-20; Lk 9.37-43a)

14 Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. 15 Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. 16 Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». 17 Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. 18 Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t’ia dëbojnë, por nuk mundën». 19 Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Sillmani këtu!». 20 Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. 21 Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. 22 Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». 23 Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». 24 Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakëtll!». 25 Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». 26 Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». 27 Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë.

28 Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». 29 Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutjem».

Tjetër paralajmërim i Pashkës

(Mt 17.22-23; Lk 9.43b-45)

30 Pastaj u larguan që aty e kaluan nëpër Galile. Jezui nuk donte ta merrte vesh njeri. 31 Ai po mësonte dishepujt e tij e u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, ata do ta vrasin dhe, pas tri ditësh, ai do të ngjallet». 32 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë e kishin frikë ta pyesnin.

Kush është më i madhi

(Mt 18.1-5; Lk 9.46-48)

33 Arritën në Kafarnaum e kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, i pyeti: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin gjatë rrugës?». 34 Ata heshtën, se gjatë rrugës kishin biseduar se cili prej tyre ishte më i madhi.

35 Pasi u ul, i thirri të dymbëdhjetët e u tha: «Nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve e shërbëtor i të gjithëve».

36 Pastaj mori një fëmijë, e vuri mes tyre e duke e marrë në krahë, u tha: 37 «Kush pranon në emrin tim një fëmijë si ky, më pranon mua e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar».

Me ne, jo kundër nesh

(Lk 9.49-50)

38 Gjoni i tha Jezuit: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk vinte pas nesh».

39 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se askush nuk mund të flasë keq për mua sapo bën një vepër të fuqishme në emrin tim. 40 Kush nuk është kundër nesh, është me ne. 41 Nëse dikush do t’ju japë të pini një gotë ujë për shkak se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them se ai nuk do ta humbasë shpërblimin e tij».

Shkaktar për mëkat

(Mt 18.6-9; Lk 17.1-2)

42 «Nëse dikush i bëhet pengesë njërit prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, për atë do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det. 43-44 Nëse dora jote të bëhet pengesë, prije! Është më mirë të hysh i gjymtuar në jetën e vërtetë, sesa t’i kesh të dyja duart e të shkosh në Gehenë, në zjarrin që nuk shuhet.n 45-46 Dhe nëse këmba jote të çon në mëkat, prije! Është më mirë të hysh i çalë në jetë, sesa t’i kesh të dyja këmbët e të të hedhin në Gehenënj47 Nëse syri yt të bëhet pengesë, nxirre! Është më mirë të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, sesa t’i kesh të dy sytë e të të hedhin në Gehenë, 48 atje ku tenja nuk ngordh e zjarri nuk shuhet.

49 Në të vërtetë, gjithçka do të kripet me zjarro.

50 Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si do t’ia ktheni? Kini kripë në veten tuaj e jetoni në paqe me njëri-tjetrin».


 l9.5 ose: Rabbi

 ll9.24 ose: ndihmomë në mosbesimin tim!

 m9.29 dorëshk. të tjera edhe: dhe agjërim

 n9.43 dorëshk. të tjera edhe: 44 ku tenja nuk ngordh dhe zjarri nuk shuhet

 nj9.45 dorëshk. të tjera edhe: 46 ku tenja nuk ngordh dhe flaka nuk shuhet

 o9.49 dorëshk. të tjera edhe: dhe çdo fli do të kripet me kripë