Marku 13

Për shkatërrimin e tempullit

(Mt 24.1-2; Lk 21.5-6)

Kur dolën nga tempulli, njëri prej dishepujve i tha: «Mësues, shiko ç’gurë e ç’ndërtesa!». Jezui i tha: «A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».

Fillimi i fundit

(Mt 24.3-14; Lk 21.7-19)

Kur u ul në malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni e Andrea e pyetën Jezuin veçmas: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se të gjitha ato do të përmbushen?». Atëherë Jezui filloi t’u thoshte: «Hapni sytë se mos ju mashtron njeri. Shumë veta do të vijnë në emrin tim e do të thonë: “Unë jam Krishti” e do të mashtrojnë shumë njerëz.

Kur të dëgjoni për luftra e lajme luftrash, mos u tronditni. Këto duhet të ndodhin, por ky nuk do të jetë ende fundi. Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. Në disa vende do të ketë tërmete e zi bukesh. Ky do të jetë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Por kini kujdes për veten, se do t’ju dorëzojnë nëpër sinedra e do t’ju rrahin nëpër sinagoga. Për shkakun tim do t’ju nxjerrin të dëshmoni para princave e mbretërve. 10 Por më parë ungjilli duhet t’u predikohet të gjitha kombeve. 11 Kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çfarë do të thoni, por thoni çfarë t’ju jepet në atë çast, se nuk do të jeni ju ata që flisni, por Shpirti i shenjtë.

12 Vëllai do ta dorëzojë vëllanë, që ta dënojnë me vdekje dhe ati të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve e do t’i çojnë drejt vdekjes. 13 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtohet».

Shkretimi i madh

(Mt 24.15-28; Lk 21.20-24)

14 «Por kur të shihni tmerrin e shkretimitt që qëndron atje ku nuk i takon, “kush lexon le ta kuptojë”, atëherë ata që janë në Jude le të arratisen maleve. 15 Ai që do të ndodhet mbi çati, të mos zbresë e të mos hyjë brenda për të marrë gjë nga shtëpia e tij! 16 Ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë gunën! 17 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë! 18 Lutuni që kjo të mos ndodhë në dimër, 19 sepse në ato ditë do të bjerë një mjerim i paparë ndonjëherë deri më sot, që kur Perëndia krijoi gjithçka, e të tillë mjerim nuk do të ketë më kurrë. 20 Po të mos i kishte shkurtuar Zoti ato ditë, nuk do të shpëtonte asnjeri, por për hir të atyre që ka zgjedhur, ai i shkurtoi ato ditë. 21 Nëse dikush ju thotë: “Ja ku është Krishti!” ose: “Ja, është këtu!”, mos i besoni. 22 Do të dalin krishtë të rremë e profetë të rremë që do të bëjnë shenja e mrekulli, që mundësisht të mashtrojnë edhe të zgjedhurit. 23 Por kini kujdes! Unë ju paralajmërova për të gjitha».

Ardhja e Birit të njeriut

(Mt 24.29-31; Lk 21.25-28)

24 «Në ato ditë, pas pikëllimit,

dielli do të errësohet

e hëna nuk do të ndriçojë.

25 Yjet do të bien nga qielli

e pushtetet që janë në qiell

do të tranden.

26 Pastaj do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet të madh e me lavdi. 27 Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër anët, prej skajeve të dheut deri te skajet e qiellit».

Shëmbëlltyra e fikut

(Mt 24.32-35; Lk 21.29-33)

28 «Mësoni nga shëmbëlltyra e fikut. Sapo dega e tij bëhet e njomë e nxjerr gjethe, ju e dini se po afrohet vera. 29 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se fundi është afër, te dera. 30 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 31 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».

Dita dhe ora

(Mt 24.36-44; Lk 19.12-20)

32 «Askush nuk e di atë ditë apo atë orë. As engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. 33 Kini kujdes e rrini zgjuarth, se nuk e dini kur do të vijë koha. 34 Kjo është si puna e atij njeriut që niset për rrugë. Ai largohet nga shtëpia, i cakton secilit shërbëtor punën e vet dhe e urdhëron rojtarin e derës të rrijë zgjuar. 35 Prandaj rrini zgjuar, se nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë, në mbrëmje a në mesnatë, në agim a në mëngjes, 36 që nëse vjen befasisht, të mos ju gjejë në gjumë. 37 Atë që ju them juve, ua them të gjithëve: rrini zgjuar!».


 sh13.8 dorëshk. të tjera edhe: dhe trazira

 t13.14 dorëshk. të tjera edhe: të parathënë nga profeti Daniel

 th13.33 dorëshk. të tjera edhe: dhe lutuni