Marku 12

Shëmbëlltyra e vreshtit dhe e bujqve

(Mt 21.33-46; Lk 20.9-19)

Pastaj Jezui filloi t’u fliste me shëmbëlltyra: «Një njeri mbolli një vresht, e thuri me gardh, hapi një gropë për të shtrydhur rrushin dhe ngriti një kullë. Vreshtin ua dha me qira disa vreshtarëve e u largua në një vend të huaj. Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që të merrte pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit. Vreshtarët e kapën, e rrahën dhe e kthyen duarzbrazët. Atëherë ai dërgoi edhe një shërbëtor tjetër, por ata e goditën në kokë dhe e poshtëruan. Dërgoi edhe një tjetër, por edhe këtë e vranë. Dërgoi edhe shumë të tjerë, por disa i rrahën e disa i vranë. I kishte mbetur vetëm një, biri i tij i dashur. Në fund e dërgoi tek ata, duke thënë: “Për tim bir do të kenë respekt”. Por vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe trashëgimia do të na mbetet neve”. Atëherë e kapën, e vranë dhe e hodhën jashtë vreshtit.

Ç’do të bëjë i zoti i vreshtit? Do të vijë, do t’i vrasë vreshtarët e do t’ua japë vreshtin të tjerëve. 10 A nuk e keni lexuar këtë Shkrim:

guri që ndërtuesit e hodhën tej,

u bë guri i qoshes.

11 Kjo është vepra e Zotit

dhe është e mrekullueshme

në sytë tanë».

12 Atëherë ata kërkonin ta kapnin, sepse e kuptuan se shëmbëlltyrën e kishte thënë kundër tyre, por kishin frikë nga turma, prandaj e lanë dhe ikën.

Taksa e Cezarit

(Mt 22.15-22; Lk 20.20-26)

13 Pastaj dërguan te Jezui disa nga farisenjtë e disa nga herodianët për ta zënë në kurth për ndonjë fjalë. 14 Kur erdhën, i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush, u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. A është e lejueshme t’i paguhen taksat Cezarit apo jo? Duhet t’ia paguajmë apo nuk duhet?». 15 Por Jezui, duke e njohur hipokrizinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë? Më sillni një monedhë ta shoh!». 16 Ata ia sollën. Atëherë ai u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». Ata i thanë: «Të Cezarit». 17 Jezui u tha: «Jepini Cezarit ç’është e Cezarit dhe Perëndisë ç’është e Perëndisë». Ata u mrekulluan me të.

Ngjallja e të vdekurve

(Mt 22.23-33; Lk 20.27-40)

18 Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: 19 «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan, por nuk lë fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t’i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 20 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua dhe kur vdiq nuk la fëmijë. 21 Me të venë u martua edhe i dyti, por edhe ky vdiq pa lënë fëmijë. Po kështu edhe i treti 22 e që të shtatë nuk lanë fëmijë. Në fund vdiq edhe gruaja. 23 Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». 24 Jezui u tha: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. 25 Kur të ngjallen prej të vdekurve, njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiej. 26 Sa për ngjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar në librin e Moisiut, në pjesën që flet për shkurren, sesi Perëndia i tha: unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. 27 Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve. Gaboheni rëndë!».

Urdhërimi i madh

(Mt 22.34-40; Lk 10.25-28)

28 Një shkrues, që i kishte dëgjuar tek diskutonin, kur pa se u ishte përgjigjur drejt, e pyeti: «Cili është urdhërimi më i rëndësishëm?». 29 Jezui u përgjigj: «Urdhërimi më i rëndësishëm është: dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot  30 dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde. 31 Ndërsa urdhërimi i dytë është: duaje të afërtin si veten! Nuk ka urdhërime më të mëdha se këto». 32 Shkruesi i tha: «Mirë, mësues, ti ke të drejtë kur thua se ai është një dhe se nuk ka të tjerë përveç tij. 33 Ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje,rr me gjithë forcë dhe të duash të afërtin si veten vlen më shumë se të gjitha shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet». 34 Kur pa se iu përgjigj me mend, Jezui i tha: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë». Dhe askush nuk pati guxim ta pyeste më.

Biri i Davidit

(Mt 22.41-46; Lk 20.41-44)

35 Ndërsa po mësonte njerëzit në tempull, Jezui i pyeti: «E si mund të thonë shkruesit se Krishti është Biri i Davidit? 36 Vetë Davidi ka thënë përmes Shpirtit të shenjtë:

i tha Zoti Zotit tim:

ulu në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e tu

nën këmbët e tua.

37 Kur vetë Davidi e thërret Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».

Turma e madhe e dëgjonte me ëndje.

Ndëshkimi për shkruesit

(Mt 23.1-36; Lk 20.45-47)

38 Ndërsa i mësonte, u thoshte: «Ruhuni nga shkruesit që kënaqen kur mbajnë rroba të gjata, me qëllim që të tjerët t’i përshëndesin shesheve, 39 që zënë vendet e para nëpër sinagoga e kryet e vendit nëpër festa, 40 që përlajnë pasuritës e vejushave e luten gjatë për të rënë në sy. Këta do të marrin ndëshkim më të rëndë».

Dhurata e vejushës

(Lk 21.1-4)

41 Si u ul përballë arkës së thesarit, Jezui shikonte turmën që hidhte monedha të vogla në thesar. Shumë të pasur hidhnin shumë para. 42 Aty erdhi një vejushë e varfër dhe hodhi dy monedha bakri, domethënë një kuadrant. 43 Jezui thirri dishepujt e u tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi në arkën e thesarit më shumë se të gjithë të tjerët, 44 sepse të gjithë dhanë nga tepricat e tyre, ndërsa ajo, në varfërinë e saj, dha gjithçka që kishte për të jetuar».


 rr12.33 dorëshk. të tjera edhe: me gjithë shpirt

 s12.40 ose: shtëpitë