Marku 11

Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem

(Mt 21.1-11; Lk 19.28-40; Gjn 12.12-19)

Kur iu afruan Jerusalemit, pranë Betfagës e Betanisë, afër malit të Ullinjve, Jezui dërgoi dy prej dishepujve e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e sapo të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç mbi të cilin nuk ka hipur ende askush. Zgjidheni e silleni! Nëse dikush ju thotë: “Ç’po bëni?”, i thoni: “Zoti ka nevojë për të e do t’jua kthejë përsëri”». Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, përjashta në rrugë, dhe e zgjidhën. Disa njerëz që po rrinin aty u thanë: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». Dy dishepujt u përgjigjën siç u kishte thënë Jezui dhe ata i lejuan. Pastaj e sollën kërriçin te Jezui, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. Shumë veta shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë shtruan degë të këputura nëpër fusha. Ata që ecnin përpara tij dhe ata pas tij, thërrisnin:

«Hosana! Bekuar qoftë ai,

që vjen në emër të Zotit!

10 Bekuar qoftë mbretëria që vjen,

mbretëria e Davidit, atit tonë!

Hosana në lartësitë e qiejve!».

11 Jezui hyri në Jerusalem e shkoi në tempull. Ai vështroi gjithçka rreth e rrotull dhe meqenëse tashmë ishte vonë, doli për të shkuar në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.

Mallkimi i fikut

(Mt 21.18-19)

12 Të nesërmen, pasi u kthyen nga Betania, Jezuin e mori uria. 13 Nga larg pa një fik që kishte gjethe e shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve. 14 Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan.

Pastrimi i tempullit

(Mt 21.12-17; Lk 19.45-48; Gjn 2.13-22)

15 Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull e nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave 16 e s’lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull. 17 Jezui i mësonte e u thoshte: «A nuk është shkruar:

shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje

për të gjitha kombet.

Por ju e keni bërë shpellë kusarësh».

18 Kryepriftërinjtë e shkruesit dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij.

19 Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti.

Fiku i tharë

(Mt 21.20-22)

20 Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë. 21 Pjetri u kujtua e i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë». 22 Jezui u tha: «Kini besim në Perëndinë! 23 Me të vërtetë po ju them se nëse dikush i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe nuk ka dyshime në zemër, por beson se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet. 24 Prandaj po ju them se çfarëdo që të kërkoni në lutje, besoni se do ta merrni e kështu do të bëhet. 25-26 Dhe kur ngriheni për t’u lutur, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni atë, që edhe Ati juaj që është në qiell t’jua falë paudhësitë tuajar».

Pushteti i Jezuit

(Mt 21.23-27; Lk 20.1-8)

27 Kur erdhën përsëri në Jerusalem, Jezui po ecte në tempull dhe kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë iu afruan 28 e i thanë: «Me ç’pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet që t’i bësh këto gjëra?». 29 Jezui u tha: «Unë do t’ju bëj vetëm një pyetje. Përgjigjmuni e do t’ju tregoj me ç’pushtet i bëj këto gjëra. 30 Pagëzimi i Gjonit, vinte prej qiellit apo prej njerëzve? Përgjigjmuni!». 31 Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 32 Po sikur të themi “prej njerëzve”». Por kishin frikë nga turma, se të gjithë e mbanin Gjonin për profet të vërtetë. 33 Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç’pushtet i bëj këto gjëra».


 r11.25 dorëshk. të tjera edhe: 26 Nëse nuk ia falni, as Ati juaj që është në qiell nuk do t’jua falë paudhësitë