Malakia 1

Shpallje! Fjala e Zotit drejtuar Izraelit nëpërmjet Malakisë.

Dashuria e Zotit

«Ju kam dashur, thotë Zoti, por ju thoni: “Si na ke dashur?”. A nuk ishte Esau vëllai i Jakobit? Kumton Zoti. Jakobin e desha, por Esaun e urreva. Malet e Esaut i shkretova, trashëgiminë e tij ua hodha çakejve të shkretëtirës. Nëse Edomi thotë: “U shpartalluam, por prapë do t’i rindërtojmë rrënojat”, Zoti i ushtrive do të thotë: “Ata do të ndërtojnë, por unë do të rrënoj. Ata do të quhen vend i lig, populli me të cilin Zoti u zemërua përjetë! Do ta shihni me sytë tuaj e do të thoni: i madh është Zoti edhe përtej kufijve të Izraelit”.

Kundër priftërinjve

Biri e nderon të atin dhe shërbëtori të zotin. Nëse unë jam atë, ku është nderi që më përket? Nëse unë jam zot, ku është droja që më përket, ju thotë Zoti i ushtrive juve, priftërinjve, që përçmoni emrin tim. Ju thoni: “Si e përçmuam emrin tënd?”. Kur sillni mbi altarin tim bukë të ndotur. Ju thoni: “Si të përdhosëm?”. Kur thoni se tryeza e Zotit është e ndyrë. Kur sillni për flijim kafshë të verbra e prapë thoni: “S’ka gjë!”. Kur sillni kafshë të çala e të sëmura e prapë thoni: “S’ka gjë!”. Sillja prijësit tënd e të shohim nëse do t’i pëlqejë, nëse do të të falë, thotë Zoti i ushtrive. Tani, pra, përgjëroju Perëndisë, që të ketë mëshirë për ty. Me këtë dhuratë në dorë, a thua nuk do të të falë, thotë Zoti i ushtrive? 10 Më mirë t’i mbyllni fare portat e tempullit, sesa ta ndizni më kot zjarrin në altarin tim. Nuk jam i kënaqur me ju, thotë Zoti i ushtrive. Nuk i pëlqej dhuratat që vijnë prej dorës suaj. 11 Emri im është i madh ndër kombe, që nga lind dielli e deri ku perëndon. Temjan e kushtime të pastra i kushtohen emrit tim në çdo vend, sepse i madh është emri im ndër kombe, thotë Zoti i ushtrive. 12 Por, ju e përdhosni kur thoni: “Tryeza e Zotit është e ndyrë dhe ushqimi mbi të është i përbuzshëm”. 13 Pastaj i shfryheni Zotit të ushtrive e thoni: “Ç’kokëçarje!”. Ju më sillni për fli kafshë të vjedhura, të çala e të sëmura. A thua do t’i pranoj prej dorës suaj, thotë Zoti14 Mallkuar qoftë mashtruesi që flijon për Zotin një kafshë të metë, kur ka kafshë të patëmeta në kopenë e vet. Unë jam mbret i madhërishëm, thotë Zoti i ushtrive dhe emri im druhet ndër kombe».