Luka 12

Ruhuni nga hipokrizia

Atëherë, ndërsa mijëra njerëz ishin mbledhur turmë, aq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jezui filloi t’u fliste më parë dishepujve të vet: «Ruhuni nga tharmi i farisenjve që është hipokrizia. Nuk ka asgjë të mbuluar që s’do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s’do të merret vesh. Prandaj, çfarëdo që keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë e çfarë keni pëshpëritur me dyer të mbyllura, do të shpallet nga çatitë».

Mos kini frikë

(Mt 10.28-31)

«Miqtë e mi, unë po ju them: mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pastaj nuk mund të bëjnë asgjë më tepër. Ja cilin duhet të kini frikë: atë që pas vdekjes ka pushtetin t’ju hedhë në Gehenë. Po, po ju them, nga ky të keni frikë.

A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? Megjithatë Perëndia nuk lë në harresë asnjërin prej tyre. Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela».

Të dëshmosh për Krishtin

(Mt 10.32-33; 12.32; 10.19-20)

«Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë. Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë. 10 Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet.

11 Kur t’ju dërgojnë para sinagogave, krerëve e pushtetarëve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni. 12 Shpirti i shenjtë do t’ju mësojë se çfarë të thoni në atë çast».

Pasaniku i pamend

13 Pastaj dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua». 14 Por Jezui i tha: «Kush më vuri mua gjykatës apo ndarës mes jush, o njeri?». 15 Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij».

16 Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë: «Toka e një pasaniku dha shumë prodhim. 17 Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”. 18 Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia. 19 E do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”. 20 Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t’i mbeten?”.

21 Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete e nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë».

Kujdesjet dhe shqetësimet

(Mt 6.25-34; 19—21)

22 Jezui u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. 23 Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. 24 Shikoni korbat! As mbjellin, as korrin, as kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët. 25 Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 26 Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsi si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat? 27 Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 28 Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë?

29 Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini e mos u brengosni. 30 Janë kombet e botës që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto. 31 Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t’jua japë edhe ato.

32 Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t’jua japë mbretërinë. 33 Shitini pasuritë tuaja e jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen e mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë. 34 Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj».

Shërbëtorët e kujdesshëm

(Mt 24.45-51)

35 «Ngjishini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur. 36 Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t’i hapur derën sapo të trokasë. 37 Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët e do t’u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë e do t’u shërbejë. 38 Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata! 39 Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t’i vidhej shtëpia. 40 Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut».

41 Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?». 42 Atëherë Zoti i tha: «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 43 Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 44 Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t’ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 45 Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë e të dehet, 46 atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë. 47 Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura. 48 Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak.

Kujt i është dhënë shumë, do t’i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t’i kërkohet edhe më shumë».

Shkak ndarjeje

(Mt 10.34-36)

49 «Unë erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet! 50 Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet. 51 Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje. 52 Që tani e tutje nëse në një shtëpi do të jenë pesë veta, do të ndahen tre kundër dyve e dy kundër treve. 53 Do të ndahen

ati nga i biri

dhe biri nga i ati,

nëna nga e bija

dhe bija nga e ëma,

vjehrra nga nusja

dhe nusja nga e vjehrra».

Shenjat e kohës

(Mt 16.2-3)

54 Pastaj u tha turmave: «Kur shihni renë që ngrihet në perëndim, ju menjëherë thoni se do të bjerë shi e kështu ndodh. 55 Kur shihni se po fryn juga, ju thoni se do të bëjë i nxehtë i madh e kështu ndodh. 56 Hipokritë! Dukuritë e tokës e të qiellit dini t’i shpjegoni, po si nuk ditkeni të dalloni kohën e tanishme?».

Pajtimi me kundërshtarin

(Mt 5.25-26)

57 «Pse nuk gjykoni vetë se ç’është e drejtë? 58 Nëse je rrugës për te gjykatësi bashkë me kundërshtarin tënd, përpiqu të merresh vesh me të rrugës, që kur të dalësh para gjykatësit, ai mos të të dorëzojë te roja e pastaj roja të të fusë në burg. 59 Unë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».