Ligji i Përtërirë 9

Mëkati i Izraelit

«Dëgjo Izrael, sot po kalon Jordanin për të hyrë e për të shpronësuar popuj më të mëdhenj e më të fortë se vetja, qytete të mëdha e të fortifikuara deri në kupë të qiellit, një popull të madh e shtatlartë, anakimët, që i njeh dhe për të cilët ke dëgjuar të thuhet: “Kush do t’u bëjë ballë bijve të Anakut?”. Dije, pra, sot, se Zoti, Perëndia yt, ai vetë, po kalon para teje si një zjarr përvëlues, ai vetë do t’i shkatërrojë e do t’i nënshtrojë ata para teje. Pastaj, ti do t’i zbosh e zhbish menjëherë, siç të tha Zoti.

Kur Zoti, Perëndia yt, t’i zbojë para teje, mos thuaj me vete: “Zoti më solli për ta pushtuar këtë tokë në saje të drejtësisë sime”, sepse ai po i zbon këto kombe për shkak të ligësisë së tyre. Nuk po hyn për ta pushtuar tokën e tyre në saje të drejtësisë sate apo në saje të ndershmërisë së zemrës tënde. Zoti, Perëndia yt, po i shpronëson para teje këto kombe për shkak të ligësisë së tyre dhe që të mbajë fjalën që u dha etërve të tu, Abrahamit, Isakut e Jakobit.

Dije, pra, se Zoti, Perëndia yt, nuk po ta jep këtë tokë të mirë për ta pushtuar në saje të drejtësisë sate, sepse ti je një popull kokëfortë. Mos harro kurrë si e ndeze zemërimin e Zotit, Perëndisë tënd, kur ishe në shkretëtirë. Që nga dita kur dole nga toka e Egjiptit e derisa arrite në këtë vend, ngrite krye kundër Zotit.

Madje, edhe në Horeb e ndezët zemërimin e Zotit. Ai u zemërua me ju e deshi t’ju zhbinte. Kur u ngjita në mal për të marrë rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes që Zoti lidhi me ju, qëndrova atje për dyzet ditë e dyzet net pa ngrënë bukë e pa pirë ujë. 10 Pastaj Zoti m’i dha dy rrasat e gurit të shkruara nga vetë dora e Perëndisë. Ato përmbanin të gjitha fjalët që Zoti ju tha nga mesi i zjarrit në mal, në ditën e tubimit. 11 Pasi kaluan dyzet ditë e dyzet net, Zoti m’i dha dy rrasat e gurit, rrasat e besëlidhjes. 12 Atëherë Zoti më tha: “Ngrihu e zbrit shpejt poshtë, se populli yt, që nxore nga Egjipti, u shthur. E lanë shpejt udhën që u urdhërova e punuan për vete idhuj të metaltë”. 13 Zoti vijoi të më thoshte: “Po shoh se qenka popull kokëfortë! 14 Më lër t’i zhbij e ta shuaj emrin e tyre nën qiell. E prej teje do të bëj një komb të fortë e të madh”.

15 Atëherë u ktheva e zbrita nga mali, ndërkohë që mali digjej zjarr e dy rrasat e besëlidhjes i mbaja në duar. 16 Dhe ja, pashë që kishit mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë tuaj dhe kishit punuar për vete një viç të metaltë. E latë shpejt udhën që ju kishte urdhëruar Zoti17 Atëherë i mbërtheva të dyja rrasat, i përplasa me të dyja duart dhe i theva para syve tuaj. 18 Pastaj rashë përmbys para Zotit e, si më parë, nuk hëngra bukë e nuk piva ujë për dyzet ditë e dyzet net, për shkak të mëkatit që kishit bërë, sepse e ngucët Zotin duke bërë ligësi në sy të tij. 19 Pata frikë nga zemërimi e tërbimi i Zotit, që ishte ndezur kundër jush për t’ju zhbirë, por Zoti më dëgjoi edhe kësaj here. 20 Zoti u zemërua aq fort edhe me Aronin, sa donte ta zhbinte. Atëherë u luta edhe për të. 21 Sa për mëkatin që bëtë, viçin e punuar e mora, e dogja në zjarr, e bëra copë e thërrime derisa u bë pluhur dhe pluhurin e hodha në përroin që rridhte nga mali.

22 Edhe në Taberah, në Masë e në Kibrot Hatavah e ndezët zemërimin e Zotit23 Kur Zoti ju dërgoi nga Kadesh Barnea e ju tha: “Shkoni e pushtojeni tokën që ju kam dhënë”, ju ngritët krye kundër fjalës së Zotit, Perëndisë tuaj. Nuk i besuat atij, as nuk e dëgjuat zërin e tij. 24 Që nga dita që ju kam njohur keni ngritur krye kundër Zotit.

25 Kështu, rashë përmbys para Zotit e për dyzet ditë e dyzet net iu përgjërova, sepse kishte thënë se do t’ju zhbinte. 26 Iu luta Zotit e i thashë: “O Zot, Zoti im, mos e shfaros popullin tënd, trashëgimin tënd, që e çlirove me madhështinë tënde, kur e nxore nga Egjipti me dorë të fuqishme. 27 Kujto shërbëtorët e tu, Abrahamin, Isakun e Jakobin dhe mos i vë vesh kokëfortësisë, ligësisë e mëkatit të këtij populli. 28 Përndryshe, banorët e tokës, prej nga na nxore, do të thonë: ‘Zoti nuk mundi t’i çonte në tokën që u pati premtuar. I urrente, prandaj i nxori që t’i vriste në shkretëtirë’. 29 Por, ky është populli yt dhe trashëgimia jote që e nxore me fuqinë tënde të madhe e me krahun tënd të fortë”».