Ligji i Përtërirë 8

Kujto Perëndinë

«Ki kujdes që ta zbatosh të gjithë ligjin që të kam urdhëruar sot, që të jetoni, të shumoheni, të hyni e të pushtoni tokën për të cilën Zoti iu betua etërve tuaj. Kujto tërë udhën që Zoti, Perëndia yt, të bëri të marrësh gjatë këtyre dyzet vjetëve në shkretëtirë, për të të sprovuar me mundime, që të dinte çka kishe në zemër e nëse do t’i mbaje apo jo urdhërimet e tij. Ai të mundoi me uri e pastaj të ushqeu me manë, të cilën s’e njihje as ti, as etërit e tu, për të të treguar se njeriu nuk jeton vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Zotit. Gjatë këtyre dyzet vjetëve, as t’u shqyen rrobat, as t’u ënjt këmba. Ngulite në mendje se Zoti, Perëndia yt, të ndreq, ashtu siç ndreq njeriu fëmijën e vet. Mbaji urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, ec udhës së tij e druaje atë. Zoti, Perëndia yt, po të çon në një vend të mirë, në një tokë ku përrenjtë, krojet e burimet e nëndheshme vërshojnë nëpër fusha e bjeshkë, në një tokë me grurë, elb, vreshta, fiq e shegë, në një tokë me vaj ulliri e me mjaltë, në një tokë ku do të hash bukë sa të duash, ku asgjë nuk do të të mungojë, në një tokë ku nxirret hekur prej gurit e bronz prej maleve. 10 Do të hash, do të ngihesh e do të bekosh Zotin, Perëndinë tënd, për tokën e mirë, që të ka dhënë.

11 Kujdes se mos harron Zotin, Perëndinë tënd, e nuk i mban urdhërimet, vendimet e rregullat e tij, që ju urdhërova unë sot. 12 Kur të hash sa të ngihesh, kur të ndërtosh e të rrosh në shtëpi të mira, 13 kur të të shtohen dhentë e qetë, argjendi e ari e gjithçka që ke, 14 mos të të rritet mendja dhe harron Zotin, Perëndinë tënd. Ai të nxori nga toka e Egjiptit, nga skllavëria, 15 të priu në shkretëtirën e madhe e të tmerrshme, një vend gjarpërinjsh helmues e akrepash, një vend i shkretë pa ujë, të nxori ujë nga një shkëmb stralli, 16 të ushqeu në shkretëtirë me manë, të cilën as etërit e tu nuk e njihnin, që të të sprovonte me mundime e në fund të ta sillte mbarë. 17 Mos thuaj me vete: “Me forcën dhe fuqinë e duarve të mia e fitova gjithë këtë pasuri”. 18 Kujto Zotin, Perëndinë tënd, se ai të jep forcë për të fituar pasuri dhe e mban besëlidhjen e tij, për të cilën iu betua etërve të tu, si edhe sot. 19 Por, nëse e harron vërtet Zotin, Perëndinë tënd, e ndjek perëndi të tjerë, u shërben e i adhuron, për be, sot po ju paralajmëroj se do të shkatërroheni krejt. 20 Do të merrni fund si kombet që po shkatërron Zoti para jush, ngaqë nuk e dëgjuat zërin e Zotit, Perëndisë tuaj».