Ligji i Përtërirë 6

Urdhërimet

«Këto janë urdhërimet, rregullat e vendimet që më urdhëroi Zoti, Perëndia juaj, për t’jua mësuar, që t’i zbatoni në tokën ku po kaloni për ta pushtuar, me qëllim që ta druash Zotin, Perëndinë tënd, e t’i mbash gjatë gjithë jetës tërë rregullat e urdhërimet e tij, të cilat po t’i urdhëroj ty, bijve e nipave të tu. Kështu do të kesh jetë të gjatë. Dëgjo Izrael, zbatoji ato me kujdes, që të të shkojë mbarë e të shumohesh në tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç të tha Zoti, Perëndia i etërve të tu.

Dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është një Zot i vetëm. Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë forcën tënde. Mbaji në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Përsëritja fëmijëve e fol për to kur të rrish ulur në shtëpi ose kur të ecësh udhës, kur të biesh në shtrojë ose kur të ngrihesh prej saj. Lidhi si shenjë në dorë e si shirit në ballë. Shkruaji mbi shtalkat e shtëpive e mbi portat tuaja.

Mosbindja

10 Kur Zoti, Perëndia yt, të të sjellë në tokën, për të cilën iu betua etërve të tu, Abrahamit, Isakut, Jakobit, se do të ta japë ty; kur të të sjellë në qytete të mira e të mëdha, që nuk i ke ndërtuar vetë, 11 në shtëpi plot me të mira, për të cilat nuk ke punuar vetë, në puse, që nuk i ke hapur vetë, në vreshta e ullishta që nuk i ke mbjellë vetë dhe kur të kesh për të ngrënë sa të ngopesh, 12 kujdes se mos harron Zotin që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. 13 Zotin, Perëndinë tënd, do të druash, atij do t’i shërbesh e në emër të tij do të betohesh. 14 Mos shkoni pas perëndive të tjerë, pas perëndive të popujve që janë përreth jush, 15 sepse Zoti, Perëndia yt, që është në mesin tënd, është Perëndi xheloz. Ai do të zemërohet me ty e do të të shfarosë prej faqes së dheut.

16 Mos e tundoni Zotin, Perëndinë tuaj, siç vepruat në Masë. 17 Mbajini me kujdes urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe dëshmitë e rregullat që ju dha. 18 Bëj çka është e mirë dhe e drejtë para Zotit, që të të shkojë mbarë e që të pushtosh tokën e mirë për të cilën Zoti iu betua etërve të tu, 19 duke i zbuar armiqtë e tu, siç tha Zoti.

20 Kur, në të ardhmen, të të pyesë yt bir: “Çfarë kuptimi kanë dëshmitë, rregullat e vendimet që ju urdhëroi Zoti, Perëndia ynë?”, 21 atëherë do t’i thuash: “Ne ishim skllevër të faraonit në Egjipt dhe Zoti na nxori nga Egjipti me dorë të fuqishme. 22 Ai bëri para syve tanë shenja e mrekulli të mëdha e të tmerrshme kundër Egjiptit, kundër faraonit e kundër gjithë shtëpisë së tij. 23 Na nxori prej andej, që të na sillte e të na jepte tokën për të cilën iu betua etërve tanë. 24 Zoti na urdhëroi t’i zbatojmë të gjitha këto rregulla e ta druajmë Zotin, Perëndinë tonë, që të na shkojë mbarë jeta e të na mbajë gjallë, sikurse jemi sot. 25 Nëse e zbatojmë me kujdes tërë këtë ligj para Zotit, Perëndisë tonë, ashtu siç na urdhëroi, atëherë do të jemi të drejtë”».