Ligji i Përtërirë 4

Ligji

«E tani, o Izrael, dëgjoji rregullat e vendimet që po ju mësoj, që, duke i mbajtur, të jetoni. Kështu do të hyni e do të pushtoni tokën që po u jep Zoti, Perëndia i etërve tuaj. Mos u shtoni e mos u hiqni asgjë urdhrave që po ju jap. Mbajini urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, që po ju jap. Sytë tuaj panë atë që Zoti bëri në Baalpeor, sesi Zoti, Perëndia yt, zhbiu prej mesit tënd të gjithë ata që ndoqën Baalin e Peorit, ndërsa të gjithë ju që u mbajtët fort pas Zotit, Perëndisë suaj, jeni sot gjallë.

Ja, jua mësova rregullat e vendimet, siç më urdhëroi Zoti, Perëndia im, që t’i zbatoni në tokën që po hyni për ta pushtuar. Mbajini e zbatojini, se kjo do t’ju bëjë të urtë e të dijshëm para syve të popujve. Ata, kur të dëgjojnë për tërë këto rregulla, do të thonë: “Sa i urtë e i dijshëm qenka ky komb i madh!”. Cili komb i madh i ka perënditë aq pranë sa kemi ne Zotin, Perëndinë tonë, kur e thërrasim? Cili komb i madh ka rregulla e vendime kaq të drejta sa tërë ky ligj që po ju jap sot?

Veç trego shumë kujdes e ruhu se i harron gjërat që të panë sytë. Zemra jote të mos shmanget prej tyre gjatë gjithë jetës sate. Mësojua fëmijëve e nipave të tu, 10 si qëndrove atë ditë në Horeb para Zotit, Perëndisë tënd, e sesi ai më tha: “Ma mblidh popullin, që të ma dëgjojnë fjalën e të mësojnë të më druajnë gjatë gjithë ditëve të jetës së tyre mbi tokë. Këtë t’ua mësojnë edhe fëmijëve”. 11 E ju u afruat e qëndruat rrëzë malit, ndërkohë mali digjej flakë deri në kupë të qiellit, kudo kishte errësirë, re e terr. 12 Atëherë Zoti, Perëndia juaj, ju foli nga mesi i zjarrit. Ia dëgjuat zërin, por trajtën nuk ia patë. Veç zërin dëgjuat, asgjë tjetër. 13 Ai ju shpalli besëlidhjen e vet, dhjetë urdhërimet, që ju urdhëroi t’i zbatoni. Ato i shkroi në dy rrasa guri 14 dhe mua më urdhëroi, në të njëjtën kohë, t’ju mësoj rregullat dhe vendimet, që t’i zbatoni në tokën në të cilën po kaloni për ta pushtuar.

15 Atë ditë, kur Zoti ju foli nga mesi i zjarrit në Horeb, nuk patë kurrfarë trajte, prandaj ruhuni 16 se mos shthureni e bëni për veten tuaj ndonjë idhull, ndonjë trajtë me shëmbëllimin e mashkullit apo femrës, 17 kafshëve të tokës, shpendëve fluturakë të qiellit, 18 zvarranikëve të dheut apo peshqve të ujërave nën dhe. 19 Se mos ngre sytë nga qielli dhe shikon diellin, hënën, yjet e mbarë ushtrinë qiellore dhe marrosesh pas tyre, i adhuron e u shërben. Këto, Zoti, Perëndia yt, ua caktoi tërë popujve që janë nën qiell. 20 Ndërsa juve, Zoti ju nxori nga Egjipti, nga ajo shkritore e hekurit, që t’i përkisni atij e të jeni populli i tij, siç jeni edhe sot.

21 Por Zoti u zemërua me mua për shkakun tuaj. Ai u betua se nuk do ta kaloja Jordanin dhe se nuk do të hyja në tokën e mirë, të cilën po ta jep si trashëgimi Zoti, Perëndia yt. 22 Unë do të vdes në këtë vend, pa kaluar përtej Jordanit, ndërsa ju do të kaloni e do ta pushtoni atë tokë të mirë. 23 Ruhuni se mos harroni besëlidhjen që lidhi me ju, Zoti, Perëndia juaj, dhe bëni për veten tuaj idhuj të çfarëdolloj trajte, të cilët ua ndaloi Zoti, Perëndia juaj, 24 sepse Zoti, Perëndia juaj, është zjarr përvëlues. Ai është Perëndi xheloz.

25 Edhe kur të jeni bërë me fëmijë e nipa e të jeni plakur mirë në këtë tokë, nëse shthureni e bëni idhuj të çfarëdolloj trajte, nëse bëni ligësi para Zotit, Perëndisë tuaj, dhe e ngucni, 26 qielli e toka qofshin sot dëshmitarë se do të zhbiheni një herë e mirë prej tokës që do të pushtoni përtej Jordanit. Nuk keni për të jetuar gjatë atje, se keni për t’u shfarosur krejt. 27 Zoti do t’ju shpërndajë nëpër popuj dhe vetëm pak prej jush do të mbeten nëpër kombet ku Zoti do t’ju dëbojë. 28 Atje do t’u shërbeni perëndive të bëra nga dora e njeriut, perëndi druri e guri, që nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk hanë e nuk nuhasin. 29 Por nëse atje do ta kërkoni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër e me gjithë shpirt, do ta gjeni. 30 Kur të gjendesh në vështirësi e të pësosh të gjitha këto në ditët që vijnë, do të kthehesh te Zoti, Perëndia yt, e do t’ia dëgjosh zërin, 31 se Zoti, Perëndia yt, është një Perëndi i mëshirshëm. Ai nuk do të të braktisë, nuk do të të shkatërrojë e as nuk do ta harrojë besëlidhjen për të cilën iu betua etërve të tu.

32 Shqyrtoji kohët e lashta, përpara se të vije në jetë, që nga dita kur Perëndia krijoi njeriun mbi tokë. Shqyrtoji qiejt nga skaji në skaj e pyet: a ka ndodhur ndonjëherë një gjë kaq e madhe? A është dëgjuar ndonjëherë një gjë e tillë? 33 A e ka dëgjuar ndonjë popull zërin e Perëndisë që fliste nga mesi i zjarrit, siç e dëgjove ti, e mbeti gjallë? 34 Cili Perëndi provoi të shkojë të marrë për vete një komb nga mesi i një kombi tjetër përmes sprovave, shenjave, mrekullive, betejave, dorës së fuqishme, krahut të fortë e gjëmave të mëdha ashtu siç bëri për ju Zoti, Perëndia juaj, para syve tuaj kur ishit në Egjipt? 35 Këto të janë dëftuar që ta dish se Zoti është Perëndi. Nuk ka tjetër përveç tij. 36 Nga qielli të bëri ta dëgjosh zërin e tij, për të të ndrequr. Përmbi tokë të shfaqi zjarrin e tij të madh dhe nga mesi i këtij zjarrit dëgjove fjalët e tij. 37 Ai zgjodhi pasardhësit e etërve të tu nga dashuria për ta. Ai vetë të nxori prej Egjiptit përmes fuqisë së tij të madhe. 38 Dëboi para teje kombe më të mëdhenj e më të fuqishëm se ti, që të të sjellë e të të japë për trashëgimi tokën e tyre, siç po ndodh sot. 39 Dije, pra, sot e skalite në zemër se Zoti është Perëndi lart në qiell e poshtë në tokë. Tjetër nuk ka. 40 Mbaji rregullat e urdhërimet që unë po të urdhëroj sot, që të të shkojë mbarë ty e fëmijëve të tu pas teje e të jetosh gjatë në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep përgjithmonë».

Qytetet e strehimit

41 Pastaj Moisiu veçoi tre qytete lindore përtej Jordanit, 42 që të shërbejnë si strehim për këdo që vret padashur të afërtin me të cilin nuk kishte pasur armiqësi më parë. Ai do të ikë te njëri prej këtyre e do të shpëtojë. 43 Qytetet janë Beceri në rrafshnaltën në shkretëtirë, për fisin e Rubenit; Ramoti, në Gilead, për fisin e Gadit; dhe Golani, në Bashan, për fisin e Manaseut.

Fjalimi i dytë

44 Ky është ligji që Moisiu u parashtroi izraelitëve. 45 Këto janë dëshmitë, rregullat e vendimet që u dha izraelitëve kur dolën nga Egjipti, 46 përtej Jordanit, në luginën e Betpeorit, në tokën e Sihonit, mbretit të amoritëve, që banonte në Heshbon, të cilit Moisiu dhe izraelitët i ranë kur dolën nga Egjipti. 47 Ata e pushtuan tokën e Sihonit e të Ogut, mbretit të Bashanit; dy mbretër amoritë që banonin në lindje, përtej Jordanit. 48 Vendi i tyre shtrihej prej Aroerit, që është buzë luginës së Arnonit, deri te mali Sirion që është Hermoni, 49 dhe përfshinte mbarë Arabahun, në lindje përtej Jordanit, deri te deti i Arabahut, nën rrëpirën e Pisgahut.