Ligji i Përtërirë 31

Jozuehu i prin popullit

Pastaj Moisiu i tha mbarë Izraelit këto fjalë: «Tashmë jam njëqind e njëzet vjeç e nuk udhëtoj dot. Edhe Zoti më tha se nuk do ta kaloj Jordanin. Por, vetë Zoti, Perëndia yt, do të kalojë para jush. Ai vetë do t’i shkatërrojë këto kombe para jush, që t’i pushtoni. Do t’ju prijë Jozuehu, sikurse tha ZotiZoti do të sillet me këto kombe siç u soll me Sihonin e Ogun, mbretër të amoritëve, e me vendet e tyre. Ai i zhbiu ata. Kur Zoti t’jua dorëzojë, veproni me ta siç ju urdhërova. Tregohuni trima e të guximshëm, mos kini frikë e mos u dridhni para tyre, sepse vetë Zoti, Perëndia juaj, do të ecë me ju. Ai nuk do t’ju lërë e as nuk do t’ju braktisë».

Atëherë Moisiu thirri Jozuehun e i tha në sy të gjithë Izraelit: «Bëhu trim e guximtar, sepse ti do ta çosh këtë popull në tokën, për të cilën Zoti iu betua etërve të tyre se do t’ua jepte. Ti do t’ua japësh si trashëgimi. Zoti vetë do të ecë me ty e do të jetë me ty. Ai nuk do të të lërë e as nuk do të të braktisë, prandaj mos ki frikë e mos u tremb».

Leximi i ligjit

Moisiu e shkroi këtë ligj e ua dha priftërinjve, bijve të Levit, që mbartin arkën e besëlidhjes së Zotit, dhe tërë pleqve të Izraelit. 10 Pastaj Moisiu i urdhëroi: «Në fund të çdo viti të shtatë, në vitin e shlyerjes së huave, gjatë festës së Kasolleve, 11 kur mbarë Izraeli të paraqitet para Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai do të zgjedhë, lexoje këtë ligj para tërë Izraelit, që ta dëgjojnë. 12 Mblidhe popullin bashkë me burra, gra, fëmijë e banorë të ardhur, që ta dëgjojnë e të mësojnë ta druajnë Zotin, Perëndinë e tyre, e t’i mbajnë e zbatojnë të gjitha fjalët e këtij ligji. 13 Edhe fëmijët e tyre, që nuk e njohin, do ta dëgjojnë e do të mësojnë ta druajnë Zotin, Perëndinë tuaj, gjatë gjithë jetës, në vendin ku po shkon për ta pushtuar, përtej Jordanit».

Jozuehu caktohet prijës

14 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ja, erdhi dita që do të vdesësh. Thirre Jozuehun e qëndroni në tendën e takimit, që t’i jap detyrën». Moisiu e Jozuehu shkuan e qëndruan në tendën e takimit. 15 Zoti u shfaq në tendë, në shtyllën e resë, e cila qëndroi në hyrje të tendës.

16 Zoti i tha Moisiut: «Ja, ti do të dergjesh me etërit e tu. Ky popull do të ngrihet e do të kurvërojë me perënditë e huaja të vendit, mes të cilit po hyn. Do ta braktisë e do ta thyejë besëlidhjen time që lidha me të. 17 Atë ditë, zemërimi im do të ndizet kundër tyre. Do t’i braktis e do ta fsheh fytyrën time prej tyre. Atëherë do të bëhen si haja që përpihet. Fatkeqësi të shumta e angështi do t’i pllakosin dhe atë ditë do të thonë: “Këto fatkeqësi na ranë, se Perëndia nuk është mes nesh!”. 18 Por, unë do ta fsheh fare fytyrën time atë ditë, për shkak të të gjitha ligësive që bënë, kur u kthyen drejt perëndive të tjerë. 19 Prandaj shkruani për vete këtë këngë e mësojuani përmendësh bijve të Izraelit, që kjo këngë të më shërbejë si dëshmi kundër tyre. 20 Do t’i sjell në vendin ku rrjedh qumësht e mjaltë, për të cilin iu betova etërve të tyre, dhe si të hanë, të ngopen e shëndoshen, do të kthehen drejt perëndive të tjerë e do t’u shërbejnë atyre. Kështu, do të më përbuzin e do ta thyejnë besëlidhjen time. 21 Kur t’i kenë pllakosur fatkeqësi të shumta e angështi, kjo këngë, që nuk do të zhduket nga buzët e pasardhësve, do të dëshmojë para tyre, sepse unë i di që sot shestimet e tyre, përpara se t’i çoj në tokën për të cilën u betova». 22 Kështu, Moisiu e shkroi këtë këngë atë ditë e ua mësoi izraelitëve.

23 Atëherë Zoti e urdhëroi Jozuehun, birin e Nunit e i tha: «Bëhu trim e guximtar, se ti do t’i çosh izraelitët në tokën që u kam premtuar. Unë do të jem me ty».

24 Si përfundoi së shkruari në libër fjalët e këtij ligji, nga fillimi deri në fund, 25 Moisiu i urdhëroi levitët, që mbartin arkën e besëlidhjes së Zotit26 «Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në kahun e arkës së besëlidhjes së Zotit, Perëndisë tuaj, që të qëndrojë aty si dëshmi kundër jush. 27 Unë vetë e di sa popull rebel dhe kokëfortë je. Ja, nëse ngre krye kundër Zotit tani që jam gjallë me ty, aq më tepër do të bësh kështu kur të kem vdekur. 28 Mblidhini të gjithë pleqtë e fiseve dhe krerët, që të dëgjojnë këto fjalë dhe që t’u thërras qiellin e tokën si dëshmitar, 29 sepse e di që, kur të kem vdekur, do të shthureni krejt dhe do t’ia ktheni shpinën udhës që ju urdhërova. Në të ardhmen do t’ju gjejë e keqja, sepse do të bëni ligësi para Zotit, kur ta ngucni me veprat e duarve tuaja».

Kënga e Moisiut

30 Atëherë Moisiu këndoi këtë këngë nga fillimi deri në fund që mbarë bashkësia e Izraelit ta dëgjonte: