Ligji i Përtërirë 29

Besëlidhja

Moisiu thirri tërë Izraelin e u tha: «Ju vetë patë gjithçka bëri Zoti në tokën e Egjiptit, çfarë i bëri faraonit e tërë shërbëtorëve të tokës së tij, sprovat e mëdha, shenjat e mrekullitë e mëdha. Por, deri më sot, Zoti nuk ju dha mendje për të kuptuar, sy për të parë e veshë për të dëgjuar. Ju priva nëpër shkretëtirë për dyzet vjet e as nuk ju shqyen rrobat në trup e as sandalet në këmbë nuk ju këputën. Bukë nuk hëngrët e as verë e pije të forta nuk pitë, që ta dini se unë, Zoti, jam Perëndia juaj.

Kur mbërritëm në këtë vend, na doli për luftë Sihoni, mbreti i Heshbonit dhe Ogu, mbreti i Bashanit, por ne u ramë, ua morëm tokat e ua dhamë për trashëgimi Rubenit, Gadit dhe gjysmës së fisit të Manaseut. Mbajini e zbatojini fjalët e kësaj besëlidhjeje, që t’ju shkojë mbarë gjithçka që bëni.

Ju të gjithë po qëndroni sot para Zotit, Perëndisë tuaj, të gjithë krerët, fiset, pleqtë, prijësit e burrat e Izraelit, 10 bashkë me të vegjlit, gratë dhe të ardhurit që janë në fushimin tuaj, nga ata që ju presin dru deri tek ata që ju nxjerrin ujë, 11 për të pranuar besëlidhjen e përbetimin e Zotit, Perëndisë tënd, që sot po lidh me ju Zoti, Perëndia juaj. 12 Ai do t’ju bëjë sot popullin e tij e do të jetë Perëndia juaj, siç ju tha e siç iu betua etërve tuaj, Abrahamit, Isakut e Jakobit. 13 Unë nuk po e bëj këtë besëlidhje e këtë përbetim vetëm me ju, 14 por edhe me të gjithë ata që janë këtu duke qëndruar sot me ne para Zotit, Perëndisë tonë, dhe me ata që nuk janë sot këtu me ne.

15 Ju e dini si kemi jetuar në tokën e Egjiptit e si kemi kaluar përmes kombeve që përshkuam. 16 I patë poshtërsitë e tyre, idhujt e tyre prej druri, guri, argjendi e ari. 17 Nëse gjendet sot mes jush ndonjë burrë, grua, klan ose fis që po i kthen shpinën Zotit, Perëndisë tuaj, për të ndjekur e për t’u shërbyer perëndive të këtyre kombeve, nëse gjendet, pra, mes jush ndonjë rrënjë që prodhon helm e pelin, 18 që, pasi i ka dëgjuar fjalët e këtij përbetimi, e bekon veten e thotë: “Nuk do të më gjejë gjë edhe nëse ndjek me ngulm mendjen time”, edhe nëse do të digjet i njomi me të thatin, 19 Zoti nuk do të dojë ta falë. Madje, zemërimi e xhelozia e Zotit do të ndizet kundër tij dhe tërë mallkimet e shkruara në këtë libër do të bien mbi të. Zoti do t’ia shuajë emrin nën qiell. 20 Zoti do ta ndajë mënjanë nga tërë fiset e Izraelit, që ta dënojë sipas mallkimeve të besëlidhjes të shkruara në këtë libër të ligjit. 21 Atëherë breznia e ardhshme, fëmijët pas jush dhe i huaji nga vendet e largëta, do të shohin plagët e kësaj toke dhe sëmundjet që dërgoi Zoti22 Tërë toka do të digjet nga sulfuri e kripa. Nuk do të mbillet, nuk do të korret e bari nuk do të mbijë. Do të ndëshkohet si Sodoma, Gomorra, Adma e Ceboimi, që i përmbysi Zoti në zemërimin e tërbimin e tij. 23 Atëherë tërë kombet do të pyesin: “Përse veproi kështu Zoti me këtë vend? Përse u ndez një zemërim kaq i madh?”. 24 Pastaj do të thonë: “Për shkak se braktisën besëlidhjen e Zotit, Perëndisë së etërve, që ai lidhi me ta kur i nxori nga toka e Egjiptit. 25 U shërbyen perëndive të tjerë e i adhuruan, perëndi që nuk i njihnin e që nuk ua kishte caktuar Zoti. 26 Prandaj u ndez zemërimi i Zotit kundër këtij vendi e u solli të gjitha mallkimet e shkruara në këtë libër. 27 Zoti, në zemërimin e tërbimin e tij të madh, i shpërnguli prej vendit të tyre e i hodhi tej në një vend tjetër, siç po ndodh edhe sot”.

28 Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, ndërsa ato të zbuluarat na përkasin përherë neve dhe fëmijëve tanë, që të zbatojmë të gjitha fjalët e këtij ligji».