Ligji i Përtërirë 20

Rregullat e luftës

«Kur të dalësh për luftë kundër armiqve e të shohësh kuaj, karroca e popuj më të mëdhenj se ti, mos ki frikë, sepse me ty është Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga toka e Egjiptit. Para se të nisesh për luftë, do të vijë prifti e do t’i thotë popullit: “Dëgjo Izrael, sot po nisesh për luftë kundër armiqve. Mos t’ju lëshojë zemra, mos kini frikë, mos u trembni e mos u tmerroni para tyre. Zoti, Perëndia juaj, do të dalë në luftë bashkë me ju, për të luftuar kundër armiqve tuaj e për t’ju dhënë fitoren”. Pastaj eprorët do t’i thonë popullit: “Kushdo që ka ndërtuar shtëpi të re, por nuk ka hyrë ende në të, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e të hyjë dikush tjetër. Kushdo që ka mbjellë një vresht e nuk e ka gëzuar ende, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e t’ia gëzojë dikush tjetër. Kushdo që është i fejuar, të kthehet mbrapa, që të mos vdesë në luftë e të martohet dikush tjetër me të fejuarën”. Pastaj eprorët do të shtojnë: “Kushdo që është frikacak e zemërlëshuar, të kthehet mbrapa, që të mos ua ligështojë zemrën të tjerëve”. Kur të mbarojnë së foluri eprorët, prijësit e ushtrisë të vihen në krye të popullit.

10 Kur t’i afrohesh qytetit që do të sulmosh, njoftoi kushtet e paqes. 11 Nëse i pranon e t’i hap portat, i gjithë populli i qytetit do të të shërbejë me punë të detyruar. 12 Nëse nuk i pranon e të bën luftë, rrethoje. 13 Zoti, Perëndia yt, do të ta dorëzojë. Shkoi në teh të shpatës të gjithë meshkujt e qytetit, 14 por gratë, fëmijët, kafshët e gjithçka në të, pra tërë plaçka e qytetit, është e jotja. Gëzoje prenë e armikut që të dha Zoti, Perëndia yt. 15 Kështu vepro me të gjitha qytetet që janë shumë larg e nuk u përkasin këtyre kombeve. 16 Por, në këto qytete që po të jep trashëgimi Zoti, Perëndia yt, mos lër frymë gjallë. 17 Shkatërroji plotësisht hititët, amoritët, kananitët, perizitët, hivitët e jebusitët, siç të urdhëroi Zoti, Perëndia yt, 18 që mos t’ju mësojnë tërë veprat e tyre të neveritshme, që ata bëjnë për perënditë e tyre, dhe, si pasojë, të mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj.

19 Kur sulmon ndonjë qytet, për ta pushtuar dhe e rrethon për një kohë të gjatë, mos i prit me sëpatë pemët përreth. Do të hash prej tyre, prandaj mos i prit. A mos janë njerëz pemët e fushës, që t’i sulmosh? 20 Vetëm pemët që e di se nuk janë frutore mund t’i shkatërrosh ose presësh, për të ndërtuar mjete për rrethimin e qytetit, që po bën luftë kundër teje, derisa ai të bjerë».