Ligji i Përtërirë 13

d «Mbani me kujdes çdo fjalë që po ju urdhëroj. Mos u shtoni e as mos u hiqni gjë. Nëse mes jush del ndonjë profet apo ëndërrimtar e ju premton ndonjë shenjë apo mrekulli, edhe nëse shenja apo mrekullia që ju premton ndodh e ju thotë të ndiqni pas e t’u shërbeni perëndive të tjerë, që nuk i njihni, mos ia dëgjoni fjalën. Zoti, Perëndia juaj, po ju vë në provë për të parë nëse e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër e me gjithë shpirt. Ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj, e atë druani. Mbajini urdhërimet e tij e zërin e tij dëgjoni. Shërbejini atij e pas tij mbahuni fort.

Ai profet apo ëndërrimtar të vritet, sepse ka folur tradhti kundër Zotit, Perëndisë tuaj, për t’ju larguar nga udha që Zoti, Perëndia juaj, i cili ju nxori nga toka e Egjiptit e ju çliroi nga skllavëria, ju urdhëroi të ndiqni. Kështu do ta zhdukësh ligësinë nga mesi yt. Nëse vëllai yt, biri i nënës sate, biri apo bija jote, gruaja jote e shtrenjtë apo shoku yt i ngushtë të shtyjnë t’u shërbesh perëndive të tjerë, që nuk i keni njohur më parë as ti e as etërit e tu, perëndive prej popujve përreth jush, qofshin pranë apo larg teje, qofshin prej njërit apo tjetrit skaj të tokës, mos iu bind e as mos e dëgjo. Mos të të vijë keq për të, mos e kurse e as mos ia mbulo fajin, 10 por vrite menjëherë. Ngrije i pari dorën për ta vrarë e më pas të ngrejë dorë gjithë populli. 11 Vrite me gurë, sepse donte të të largonte nga Zoti, Perëndia yt, që të nxori prej tokës së Egjiptit, prej vendit të skllavërisë.

12 Atëherë i gjithë Izraeli do të dëgjojë për këtë, do të ketë frikë e nuk do të bëjë më një ligësi të tillë. 13 Nëse dëgjon të thuhet në një prej qyteteve që po të jep Zoti, Perëndia yt, për të banuar, 14 se dolën disa ngatërrestarë që i shtynë banorët për t’i shërbyer perëndive të tjerë, që nuk i njihni, 15 atëherë heto, shiko e pyet mirë për këtë. Nëse del e vërtetë dhe e sigurt se një poshtërsi e tillë ka ndodhur mes jush, 16 atëherë shkoi në teh të shpatës banorët e këtij qyteti. Qyteti e gjithçka në të do të ndahet veç, për shkatërrim. Shkoi në teh të shpatës edhe kafshët e qytetit. 17 Mblidhe tërë plaçkën në mes të sheshit e digje me zjarr bashkë me qytetin, si fli shkrumbimi për Zotin, Perëndinë tënd. Qyteti të mbetet gërmadhë e përhershme. Të mos rindërtohet kurrë më. 18 Të mos gjendet në dorën tënde asgjë nga qyteti i ndarë veç, për shkatërrim, që Zoti të zmbrapsë zemërimin e tij, të ketë mëshirë e dhembshuri për ty e të të shumojë siç iu betua etërve të tu. 19 Veç t’i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke mbajtur të gjitha urdhërimet që unë po t’i urdhëroj sot dhe duke bërë çfarë është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tënd».


 d13.1 të tjerë e rendisin si 12.32