Ligji i Përtërirë 10

Rrasat e gurit

«Asokohe, Zoti më tha: “Lato dy rrasa guri si të parat, puno për vete një arkë prej druri e ngjitu tek unë në mal, që të shkruaj në to urdhërimet që ishin në rrasat e para që theve. Ato vendosi në arkë”. Kështu, punova një arkë me dru akacieje, latova dy rrasa guri si të parat e, me to në duar, u ngjita në mal. Atëherë Zoti shkroi në rrasa, si më parë, dhjetë urdhërimet që i tha nga mesi i zjarrit, në mal, në ditën e tubimit e m’i dha mua. Pastaj u ktheva, zbrita nga mali e i vendosa rrasat në arkën që kisha bërë. Ato janë aty ku urdhëroi Zoti.

Izraelitët u nisën nga burimet e Bene Jakanit drejt Moserahut. Atje vdiq e u varros Aroni. Në vend të tij u bë prift Eleazari. Prej andej u nisën drejt Gudgodës e prej Gudgodës shkuan në Jotbatah, një toke me përrenj. Asokohe, Zoti e ndau veças fisin e Levit, siç është edhe sot, që të mbajë arkën e besëlidhjes së Zotit, që të qëndrojë para Zotit për t’i shërbyer e për të bekuar në emër të tij. Prandaj, Levi nuk ka pjesë në trashëgiminë e vëllezërve të tij. Zoti është trashëgimia e tij, siç i tha Zoti, Perëndia yt.

10 Unë qëndrova në mal si më parë, dyzet ditë e dyzet net dhe Zoti më dëgjoi edhe kësaj here. Ai nuk deshi t’ju shfaroste. 11 Atëherë Zoti më tha: “Ngrihu e priji popullit, që të shkojnë e të pushtojnë tokën për të cilën iu betova etërve tuaj për t’ua dhënë”.

Thelbi i ligjit

12 Tani, Izrael, Zoti, Perëndia yt, nuk kërkon gjë tjetër prej teje, veç ta druash, të ecësh udhës së tij, ta duash, t’i shërbesh Zotit, Perëndisë tënd, me gjithë zemër e me gjithë shpirt 13 dhe t’i mbash, për të mirën tënde, urdhërimet e Zotit e rregullat që po të urdhëroj unë sot. 14 Ja, Zotit, Perëndisë tënd, i përkasin qielli, skaj më skaj, toka e gjithçka në të. 15 Megjithatë, Zoti pati për zemër dhe deshi vetëm etërit tuaj. Nga mesi i gjithë popujve ai zgjodhi pasardhësit e tyre, siç është edhe sot. 16 Rrethprituni në zemër e mos u tregoni kokëfortë më, 17 se Zoti, Perëndia juaj, është Perëndia i perëndive, Zoti i zotërve, Perëndia i madh, i fuqishëm e i tmerrshëm. Ai nuk mban anë e nuk merr mitë. 18 I jep të drejtën jetimit e të vesë. E do të ardhurin e i jep bukë e rroba. 19 Duajeni të ardhurin, sepse edhe ju ishit të ardhur në tokën e Egjiptit. 20 Druaje Zotin, Perëndinë tënd, e shërbeji. Mbahu fort pas tij e në emrin e tij betohu. 21 Ai është lavdia e Perëndia yt. Ai i bëri për ty këto vepra të mëdha e të mrekullueshme që i ke parë me sytë e tu. 22 Etërit e tu ishin vetëm shtatëdhjetë frymë kur shkuan në Egjipt, ndërsa tani, Zoti, Perëndia yt, të ka shumuar sa yjet e qiellit».