Levitiku 9

Flitë për shërbesën priftërore

Ditën e tetë Moisiu thirri Aronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit. Atëherë i tha Aronit: «Merr një viç për fli mëkati dhe një dash për fli shkrumbimi dhe paraqiti para Zotit. Të dy të jenë të patëmetë. Izraelitëve thuaju kështu: merrni një cjap për fli mëkati, një viç e një qengj motak të patëmetë për fli shkrumbimi, një dem e një dash për fli paqtimi, që t’i kushtoni para Zotit. Merrni edhe fli drithi përzier me vaj, sepse sot do t’ju dëftohet Zoti».

Ata morën çka u kishte urdhëruar Moisiu e i sollën para tendës së takimit. U afrua edhe gjithë bashkësia dhe qëndronte para ZotitMoisiu u tha: «Ky është urdhri që dha Zoti. Zbatojeni dhe do t’ju dëftohet lavdia e tij». Aronit i tha: «Afrohu tek altari, kushto flinë tënde të mëkatit dhe flinë tënde të shkrumbimit dhe bëj shlyerjen për vete e për popullin. Kushto flinë e popullit dhe bëj për ta shlyerjen, siç ka urdhëruar Zoti».

Aroni u afrua tek altari dhe theri viçin për flinë e vet të mëkatit. Pastaj bijtë e vet i sollën Aronit gjakun. Ai ngjeu në të gishtin dhe leu me gjak brirët e altarit, ndërsa gjakun e derdhi në themelet e altarit. 10 Dhjamin, veshkat dhe bulën e mëlçisë së flisë për mëkatin i dogji mbi altar, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 11 Mishin dhe lëkurën i dogji në zjarr jashtë fushimit.

12 Mandej theri flinë e shkrumbimit. Bijtë e vet i sollën Aronit gjakun dhe ai e spërkati rreth altarit. 13 Pastaj i sollën flinë e shkrumbimit të ndarë në copa bashkë me kokën dhe ai i shkrumboi mbi altar. 14 Lau edhe zorrët bashkë me këmbët e i dogji në altar mbi flinë e shkrumbimit.

15 Mandej paraqiti flinë e popullit. Mori cjapin e flisë së mëkatit të popullit, e theri dhe e kushtoi si fli mëkati, siç kishte bërë edhe me flinë e parë. 16 Paraqiti edhe flinë e shkrumbimit dhe e kushtoi sipas urdhëresës. 17 Pastaj paraqiti flinë e drithit. Mbushi grushtin me të dhe e dogji në altar, përveç flisë mëngjesore të shkrumbimit. 18 Pastaj theri demin e dashin si fli paqtimi për popullin. Të bijtë i sollën Aronit gjakun dhe ai e spërkati rreth altarit. 19 Dhjamin e demit dhe të dashit, bishtin e dhjamosur, dhjamin që mbulon zorrët, veshkat dhe bulën e mëlçisë 20 i vendosi mbi gjokset e flive dhe i dogji në altar. 21 Gjoksin dhe kofshën e djathtë Aroni i ngriti para Zotit si fli lartësimi, siç kishte urdhëruar Moisiu.

22 Atëherë Aroni ngriti duart mbi popullin dhe e bekoi. Pasi kushtoi flinë për mëkatin, flinë e shkrumbimit dhe flinë e paqtimit, Aroni zbriti nga altari. 23 Mandej, Moisiu e Aroni hynë në tendën e takimit, dolën dhe bekuan popullin. Mbarë popullit iu dëftua lavdia e Zotit24 Prej pranisë së Zotit doli një zjarr që përpiu flinë e shkrumbimit dhe dhjamin që ishin mbi altar. Mbarë populli e pa, brohoriti dhe u përkul me fytyrë përdhe.