Levitiku 8

Shenjtërimi i priftërinjve

Zoti i tha Moisiut: «Merr Aronin bashkë me bijtë e tij, rrobat, vajin e vajosjes, mëzatin për flinë e mëkatit, dy desh, shportën me bukë të ndorme, e mblidh gjithë bashkësinë te hyrja e tendës së takimit». Moisiu bëri siç e urdhëroi Zoti dhe mblodhi bashkësinë te hyrja e tendës së takimit. Moisiu i tha bashkësisë: «Ja ç’ka urdhëruar Zoti të bëhet». Mandej, nxori përpara Aronin e bijtë e tij e i lau me ujë. Aronit i veshi tunikën dhe i ngjeshi brezin, i veshi petkun dhe efodin e i ngjeshi brezin e efodit. Pastaj i vuri parzmoren dhe mbi parzmore Urimin e Tumimin. Në kokë i vuri kësulën e mbi kësulë, në anën e ballit, i vuri pllakën e artë dhe kurorën e shenjtë, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 10 Mandej, Moisiu mori vajin e vajosjes, vajosi tendën me gjithçka ndodhej atje dhe i shenjtëroi. 11 Me pak vaj stërpiku altarin shtatë herë, vajosi altarin me gjithë enët e tij dhe shenjtëroi legenin me gjithë bazën e tij. 12 Mandej, i hodhi Aronit në kokë nga vaji i vajosjes, e vajosi dhe e shenjtëroi. 13 Moisiu afroi edhe bijtë e Aronit, i veshi me tunika, i ngjeshi me brez dhe u vuri kësulëza në kokë, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

14 Solli edhe mëzatin për flinë e mëkatit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e mëzatit të flisë për mëkatin. 15 Mandej, Moisiu e theri mëzatin, mori gjak me gisht dhe e vuri mbi brirët e altarit rreth e qark. Kështu e pastroi altarin prej mëkatit. Pjesën tjetër të gjakut e derdhi te themelet e altarit dhe e shenjtëroi për të kryer mbi të shlyerjen. 16 Mori tërë dhjamin që mbulonte zorrët, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamin e tyre dhe i dogji mbi altar. 17 Pjesën tjetër të mëzatit, lëkurën, mishin e rropullitë i dogji në zjarr jashtë fushimit, siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

18 Mandej, solli dashin për flinë e shkrumbimit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e dashit. 19 Moisiu e theri dhe gjakun e spërkati rreth altarit. 20 Dashin e ndau në copa. Kokën, copat dhe dhjamin i dogji në zjarr. 21 Pasi i lau të përbrendshmet dhe këmbët me ujë, Moisiu e dogji të gjithë dashin mbi altar, siç e kishte urdhëruar Zoti. Ishte fli erëkëndshme shkrumbimi, fli zjarri për Zotin.

22 Solli edhe dashin e dytë për flinë e shugurimit dhe Aroni me bijtë e tij vunë duart mbi kokën e dashit. 23 Moisiu e theri, mori gjak dhe e leu Aronin në bulën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë. 24 Pastaj afroi bijtë e Aronit dhe i leu me gjak në bulën e veshit të djathtë, në gishtin e madh të dorës së djathtë dhe në gishtin e madh të këmbës së djathtë. Pjesën tjetër të gjakut, Moisiu e spërkati rreth altarit. 25 Pastaj mori dhjamin, bishtin, gjithë dhjamin që mbulon zorrët, bulën mbi mëlçi, të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe kofshën e djathtë. 26 Prej shportës së bukëve të ndorme që ishte para Zotit, mori një bukë të ndorme, një kulaç me vaj dhe një pite e i vuri mbi dhjamin e mbi kofshën e djathtë. 27 Të gjitha këto ia vuri mbi pëllëmbë Aronit e bijve të tij dhe ata i ngritën si fli lartësimi para Zotit28 Pastaj Moisiu i mori nga duart e tyre dhe i dogji në altar si fli shkrumbimi. Kjo ishte flija erëkëndshme e shugurimit, fli zjarri për Zotin29 Moisiu mori gjoksin e dashit dhe e ngriti si fli lartësimi para Zotit. Kjo ishte pjesa prej dashit të flisë së shugurimit që i takonte Moisiut, siç e kishte urdhëruar Zoti.

30 Pastaj Moisiu mori vajin e vajosjes dhe gjakun që ishte në altar e spërkati me to Aronin, rrobat e tij, bijtë e tij e rrobat e bijve të tij. Kështu, ai e shenjtëroi Aronin, rrobat e tij, bijtë e tij e rrobat e bijve të tij. 31 Mandej, Moisiu i tha Aronit e bijve të tij: «Ziejeni mishin te hyrja e tendës së takimit e hajeni aty bashkë me bukët, që janë në shportën e flisë së shugurimit, ashtu siç urdhërova kur thashë t’i hanin Aroni e bijtë e tij. 32 Pjesën e mbetur të mishit e të bukës digjeni në zjarr. 33 Për shtatë ditë mos u largoni prej hyrjes së tendës së takimit, derisa të plotësohen ditët e shugurimit, sepse duhen shtatë ditë që të bëhet shugurimi juaj. 34 Ashtu siç u bë sot, ashtu ka urdhëruar Zoti të bëhet edhe për shlyerjen e mëkatit tuaj. 35 Rrini te hyrja e tendës së takimit për shtatë ditë e shtatë net dhe zbatoni urdhrin e Zotit, që të mos vdisni. Kështu më është urdhëruar».

36 Aroni e bijtë e tij bënë gjithçka sipas urdhrit që Zoti i kishte dhënë Moisiut.