Levitiku 16

Dita e shlyerjes

Pas vdekjes së dy bijve të Aronit, që u vranë kur iu afruan pranisë së ZotitZoti i foli Moisiut. Zoti i tha Moisiut: «Fol me vëllanë tënd, Aronin, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej velit, para pajtimores që mbulon arkën e besëlidhjes, që të mos vdesë. Unë do të shfaqem në renë përmbi pajtimore. Kur të hyjë në shenjtërore, Aroni të marrë një mëzat për fli mëkati e një dash për fli shkrumbimi. Të veshë drejt e në mish këmishën e shenjtë dhe mbathjet prej liri, të ngjishet me brez prej liri dhe në kokë të vërë kësulë prej liri. Këto janë veshjet e shenjta që duhet t’i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë.

Prej bashkësisë së izraelitëve të marrë dy cjep për fli mëkati e një dash për fli shkrumbimi. Aroni ta kushtojë mëzatin si fli për mëkatin e vet dhe të bëjë shlyerjen për veten e për shtëpinë e tij. Të marrë dy cjeptë e t’i vendosë para Zotit te hyrja e tendës së takimit. Mandej Aroni të hedhë short mbi dy cjeptë, njërin për Zotin e tjetrin për Azazelin. Cjapin, mbi të cilin ra shorti për Zotin, ta kushtojë si fli për mëkatin, 10 ndërsa cjapin, mbi të cilin ra shorti për Azazelin, ta vendosë të gjallë para Zotit, për të bërë mbi të shlyerjen, duke e lënë të shkojë tek Azazeli në shkretëtirë.

11 Aroni ta marrë mëzatin e flisë për mëkatin, me të cilin do të bëjë shlyerjen për veten dhe për shtëpinë e tij, dhe ta therë. 12 Mandej të marrë temjanicën e ta mbushë me prush prej altarit që është para Zotit, të mbushë edhe grushtin me temjan erëmirë e të hyjë në shenjtërore përtej velit. 13 Temjanin erëmirë ta hedhë mbi prush para Zotit, që reja e temjanit të mbulojë pajtimoren që është mbi dëshminë. Kështu, Aroni nuk ka për të vdekur.

14 Mandej të marrë prej gjakut të mëzatit e të spërkatë me gisht pajtimoren në anën lindore. Të spërkatë prej gjakut me gisht edhe shtatë herë përballë pajtimores. 15 Pasi ta ketë therur cjapin për flinë e mëkateve të popullit, ta sjellë gjakun e tij brenda velit dhe të veprojë siç bëri me gjakun e mëzatit, duke e spërkatur mbi pajtimoren dhe përballë saj. 16 Kështu do të kryejë shlyerjen e shenjtërores prej papastërtive të izraelitëve dhe prej paudhësive e mëkateve të tyre. Ashtu të veprojë edhe me tendën e takimit, që ndodhet ndër ta, mes papastërtive të tyre. 17 Askush të mos jetë në tendën e takimit kur të hyjë prifti në shenjtërore e derisa të dalë prej saj, kur ai të kryejë shlyerjen për veten, për shtëpinë e tij dhe për mbarë bashkësinë e Izraelit. 18 Kur të shkojë tek altari para Zotit për të kryer shlyerjen për të, të marrë prej gjakut të mëzatit e të cjapit dhe të lyejë brirët e altarit. 19 Mandej ta spërkatë altarin shtatë herë me gisht për ta pastruar e për ta shenjtëruar prej papastërtive të izraelitëve.

20 Pasi të ketë kryer shlyerjen për shenjtëroren, për tendën e takimit dhe për altarin, të sjellë cjapin e gjallë. 21 Aroni t’i vërë të dyja duart mbi kokën e cjapit të gjallë dhe të rrëfejë mbi të gjithë paudhësinë, shkeljet dhe mëkatet e izraelitëve, duke i vënë mbi kokën e cjapit. Pastaj ta çojë në shkretëtirë me një njeri të caktuar për këtë. 22 Cjapi do t’i mbartë mbi vete të gjitha paudhësitë në një tokë të shkretë. Ai njeri do ta lërë cjapin të lirë në shkretëtirë.

23 Pastaj Aroni të hyjë në tendën e takimit, të heqë rrobat e linjta, që kishte veshur kur hyri në shenjtërore, e t’i lërë atje. 24 Të lahet me ujë në vendin e shenjtë, të vishet, të dalë për të kushtuar flinë e vet të shkrumbimit dhe flinë e shkrumbimit të popullit dhe të bëjë shlyerjen për veten dhe për popullin. 25 Dhjamin e flisë për mëkatin ta djegë mbi altar. 26 Ai që çoi cjapin për Azazelin, të lajë rrobat dhe trupin me ujë e pastaj të hyjë në fushim.

27 Mëzati i flisë për mëkatin dhe cjapi i flisë për mëkatin, gjaku i të cilëve u soll në shenjtërore për të bërë shlyerjen, të nxirren jashtë fushimit e t’u digjen në zjarr lëkurat, mishi e rropullitë. 28 Ai që do t’i djegë, të lajë rrobat dhe trupin me ujë dhe të hyjë në fushim.

29 Ky është rregull i përhershëm për ju: në muajin e shtatë, ditën e dhjetë të muajit, do të përulni veten dhe nuk do të bëni asnjë punë, as vendasi e as i huaji që banon ndër ju. 30 Atë ditë prifti të bëjë shlyerjen për ju, për t’ju pastruar prej të gjitha mëkateve që të jeni të pastër para Zotit31 Do të jetë për ju një ditë pushimi e plotë, kur të përulni veten. Ky është rregull i përhershëm. 32 Shlyerjen ta kryejë prifti që është vajosur e shuguruar për të shërbyer si prift në vend të të atit. Prifti të vishet me rrobat e shenjta prej liri 33 dhe të kryejë shlyerjen për shenjtëroren e shenjtë, për tendën e takimit dhe për altarin. Të kryejë shlyerjen edhe për priftërinjtë dhe për mbarë popullin e bashkësinë. 34 Ky është rregull i përhershëm për ju në lidhje me shlyerjen e të gjitha mëkateve të izraelitëve, një herë në vit».

U bë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.