Levitiku 14

Pastrimi i të lebrosurit

Zoti i tha Moisiut: «Ky është udhëzimi për pastrimin e të lebrosurit. Të çohet te prifti dhe prifti të dalë jashtë fushimit e të shohë a i është shëruar lebra. Mandej, për atë që duhet të pastrohet, prifti të urdhërojë të merren dy shpendë të pastër të gjallë, dru cedri, pëlhurë e kuqe dhe hisop. Prifti të urdhërojë që njëri nga shpendët të theret në një enë balte me ujë të rrjedhshëm. Shpendin tjetër të gjallë ta marrë bashkë me drurin e cedrit, me pëlhurën e kuqe dhe hisopin e t’i ngjyejë në gjakun e shpendit të therur në ujin e rrjedhshëm. Ta spërkatë shtatë herë mbi atë që duhet të pastrohet nga lebra dhe ta shpallë të pastër. Shpendin e gjallë ta lëshojë të fluturojë nëpër fusha. Ai që duhet të pastrohet, të lajë rrobat, të rruajë të gjitha qimet e trupit dhe të lahet me ujë. Pasi të jetë pastruar, të hyjë në fushim, por të qëndrojë jashtë tendës së vet për shtatë ditë. Pas shtatë ditësh, të rruajë të gjitha qimet e kokës, mjekrën, vetullat dhe të gjitha qimet e trupit. Mandej, të lajë rrobat dhe veten me ujë e do të jetë i pastër.

10 Ditën e tetë, të marrë dy qengja të patëmetë, një rrunëz të patëmetë, nëntë kilogramë majë mielli për fli drithi përzier me vaj dhe një gjysmë litër vaj. 11 Prifti, që kryen pastrimin, ta paraqesë para Zotit atë që duhet të pastrohet dhe të gjitha këto te hyrja e tendës së takimit. 12 Mandej, prifti të marrë njërin qengj e ta paraqesë si fli faji, ndërsa gjysmën e litrit të vajit ta lartësojë si fli lartësimi para Zotit13 Qengjin ta therë në vendin ku theren flija për mëkatin dhe flija e shkrumbimit, në vendin e shenjtë, sepse, sikurse flija për mëkatin, edhe flija për fajin i takon priftit. Kjo është gjë shumë e shenjtë. 14 Prifti të marrë pak prej gjakut të flisë për fajin dhe të lyejë bulën e veshit të djathtë, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë të atij që duhet të pastrohet. 15 Pastaj prifti të marrë pak prej vajit e ta vërë mbi pëllëmbën e vet të majtë, 16 të ngjyejë gishtin e djathtë në vajin që ka mbi pëllëmbën e majtë e të spërkatë shtatë herë me vaj para Zotit me gisht. 17 Me vajin që i ka mbetur mbi pëllëmbë, prifti të lyejë bulën e veshit të djathtë, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë të atij që duhet të pastrohet, aty ku e ka lyer me gjakun e flisë për fajin. 18 Pjesën tjetër të vajit, që i ka mbetur mbi pëllëmbë, prifti ta derdhë mbi kokën e atij që duhet të pastrohet dhe të kryejë për të shlyerjen para Zotit.

19 Mandej, prifti të kushtojë flinë për mëkatin dhe të bëjë shlyerjen për atë që duhet të pastrohet prej papastërtisë së vet. Pasi ta ketë therur flinë e shkrumbimit, 20 prifti të kushtojë flinë e shkrumbimit dhe flinë e drithit mbi altar, duke bërë shlyerjen për të. Atëherë ai do të jetë i pastër.

21 Por, nëse ai njeri është i varfër dhe nuk i ka mundësitë, të sjellë vetëm një qengj për flinë e fajit dhe për flinë e lartësimit, për të bërë shlyerjen për veten. Të sjellë edhe tre kilogramë majë mielli të përzier me vaj si fli drithi, një gjysmë litër vaj, 22 dy turtuj ose dy zogj pëllumbi, sipas mundësive, njërin zog për flinë e mëkatit dhe tjetrin për flinë e shkrumbimit. 23 T’ia sjellë këto priftit ditën e tetë për të kryer pastrimin, te hyrja e tendës së takimit, para Zotit24 Prifti ta marrë qengjin për flinë e fajit, bashkë me gjysmë litër vaj, e t’i lartësojë si fli lartësimi para Zotit25 Mandej, prifti të therë qengjin e flisë për fajin, të marrë pak prej gjakut të tij dhe të lyejë bulën e veshit të djathtë, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë të atij që duhet të pastrohet. 26 Një pjesë të vajit prifti ta derdhë mbi pëllëmbën e vet të majtë. 27 Me gishtin e djathtë të spërkatë shtatë herë me vajin, që ka mbi pëllëmbën e majtë, para Zotit28 Mandej, të lyejë me pak vaj bulën e veshit të djathtë, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së majtë të atij që duhet të pastrohet, mbi vendin ku e kishte lyer me gjakun e flisë për fajin. 29 Pjesën tjetër të vajit, që i ka mbetur mbi pëllëmbë, prifti ta derdhë mbi kokën e atij që duhet të pastrohet dhe të kryejë për të shlyerjen para Zotit30 Pastaj të kushtojë një nga turtujt ose një nga zogjtë e pëllumbit, sipas mundësisë. 31 Prifti ta kushtojë njërin prej zogjve të paraqitur sipas mundësisë si fli mëkati dhe tjetrin si fli shkrumbimi bashkë me flinë e drithit, duke bërë shlyerjen e atij që duhet të pastrohet para Zotit32 Ky është udhëzimi për të lebrosurin që nuk i ka mundësitë të sjellë çfarë kërkohet për pastrimin e tij».

Lebra e shtëpive

33 Zoti i tha Moisiut e Aronit: 34 «Kur të keni hyrë në tokën e Kanaanit, që unë po ju jap trashëgim, nëse dërgoj plagën e lebrës në ndonjë nga shtëpitë e vendit që keni marrë trashëgim, 35 i zoti i asaj shtëpie të shkojë e t’i thotë priftit: “Më duket se shtëpinë time e ka prekur një plagë”. 36 Atëherë prifti të urdhërojë që të zbrazet shtëpia para se të hyjë ai për të shqyrtuar plagën, që të mos shpallen të papastra të gjitha sendet e shtëpisë. Mandej të hyjë prifti për ta shqyrtuar shtëpinë. 37 Nëse prifti sheh se në muret e shtëpisë ka plasaritje në të gjelbër apo në të kuqërreme, që duken se janë më të thella se sipërfaqja e murit, 38 prifti të dalë te hyrja e shtëpisë dhe ta mbyllë shtëpinë për shtatë ditë. 39 Pas shtatë ditësh, prifti të kthehet dhe, nëse shikon se plaga është përhapur në muret e shtëpisë, 40 të urdhërojë të hiqen gurët në të cilët është plaga e të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit. 41 Shtëpia të gërryhet nga jashtë e nga brenda dhe suvaja e gërryer të hidhet në një vend të papastër jashtë qytetit. 42 Në vend të gurëve që u hoqën, të vihen gurë të tjerë dhe shtëpia të suvatohet me llaç tjetër. 43 Nëse plaga shfaqet sërish në atë shtëpi, pasi të jenë hequr gurët, të jetë gërryer dhe të jetë suvatuar sërish, 44 dhe vjen prifti e sheh se plaga është përhapur nëpër shtëpi, atëherë shtëpinë e ka prekur lebra dhe është e papastër. 45 Shtëpia të shkatërrohet dhe gurët, drurët e suvaja e saj të hidhen në një vend të papastër jashtë qytetit. 46 Kush hyn në atë shtëpi pasi të jetë mbyllur, do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 47 Kush fle në atë shtëpi duhet të lajë rrobat dhe kush ha në atë shtëpi duhet të lajë rrobat.

48 Nëse prifti vjen dhe sheh se plaga nuk është përhapur në shtëpi, pas suvatimit të saj, ta shpallë shtëpinë të pastër, sepse është pastruar nga plaga. 49 Për pastrimin e shtëpisë prej mëkatit, të marrë dy zogj, dru cedri, pëlhurë të kuqe dhe hisop. 50 Njërin nga zogjtë ta therë në një enë balte me ujë të rrjedhshëm. 51 Zogun tjetër të gjallë ta marrë bashkë me drurin e cedrit, me pëlhurën e kuqe dhe hisopin e t’i ngjyejë në gjakun e shpendit të therur në ujin e rrjedhshëm. Mandej të spërkatë shtëpinë shtatë herë. 52 Kështu, ai do ta pastrojë shtëpinë me gjakun e zogut, me ujin e rrjedhshëm, me zogun e gjallë, me drurin e cedrit, me hisopin e me pëlhurën e kuqe. 53 Pastaj ta lëshojë zogun e gjallë jashtë qytetit, të fluturojë nëpër fusha. Kështu ta kryejë shlyerjen për atë shtëpi dhe ajo do të jetë e pastër. 54 Ky është udhëzimi për çdo plagë të lebrës e të qerosjes, 55 për çdo lebër rrobash apo shtëpie, 56 për ënjtjet, për koret e lëkurës dhe për njollat e ndritshme, 57 që të përcaktohet kur diçka është e papastër apo e pastër. Ky është udhëzimi për lebrën».