Levitiku 1

Flija e shkrumbimit

Zoti e thirri Moisiun, i foli prej tendës së takimit e i tha: «Fol me bijtë e Izraelit e thuaju: kush dëshiron t’i kushtojë bagëti si fli Zotit, le t’ia kushtojë prej bagëtive të trasha ose prej bagëtive të imëta. Nëse dëshiron t’i kushtojë fli shkrumbimi prej bagëtive të trasha, t’i kushtojë një mashkull të patëmetë. Le ta bëjë te hyrja e tendës së takimit, që Zoti ta pranojë. Ta vërë dorën mbi kokën e flisë së shkrumbimit, që flija t’i pranohet për shlyerjen e mëkatit. Ta therë mëzatin para Zotit dhe priftërinjtë, bijtë e Aronit, ta kushtojnë gjakun e të spërkatin altarin që ndodhet në hyrje të tendës të takimit. Flija e shkrumbimit të rripet e të prihet në copa. Bijtë e priftit Aron të ndezin zjarrin mbi altar e të vendosin drutë mbi zjarr. Mandej t’i vënë copat, kokën e dhjamin, me radhë, mbi drutë e zjarrit të altarit. Zorrët e këmbët të lahen me ujë. Prifti t’i shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin.

10 Nëse kushton si fli shkrumbimi bagëtitë të imëta, dele apo dhi, të kushtojë një mashkull të patëmetë. 11 Ta therë para Zotit në krahun verior të altarit dhe bijtë e priftit Aron ta spërkatin gjakun përreth altarit. 12 Ta presë në copa dhe prifti t’i vendosë bashkë me kokën e me dhjamin mbi zjarrin e altarit. 13 Zorrët e këmbët t’i lajë me ujë. Prifti të kushtojë gjithçka e ta shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin.

14 Nëse i kushton Zotit shpendë si fli shkrumbimi, t’i kushtojë turtull ose zog pëllumbi. 15 Prifti ta kushtojë tek altari, t’ia këpusë kokën e ta shkrumbojë mbi altar, ndërsa gjakun t’ia shtrydhë në anë të altarit. 16 Mandej t’ia heqë gushën me gjithë pendë e t’i hedhë në anën lindore të altarit, në vendin ku hidhet hiri. 17 T’ia thyejë krahët, pa ia shkëputur, e ta shkrumbojë mbi altar si fli shkrumbimi. Ajo është fli erëkëndshme zjarri për Zotin».