Kolosianëve 1

Përshëndetje

Unë Pali, apostull i Krishtit Jezu nga vullneti i Perëndisë, dhe vëlla Timoteu, po ju shkruajmë të shenjtëve e vëllezërve që besojnë në Krishtin dhe që janë në Kolos: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynëa!

Falënderimi për kolosianët

E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, sa herë lutemi për ju, sepse kemi dëgjuar për besimin tuaj në Krishtin Jezu dhe për dashurinë që keni për të gjithë të shenjtët. Këtë besim e këtë dashuri e keni për shkak të shpresës që ju pret në qiej, për të cilën keni dëgjuar më parë në predikimin e të vërtetës së ungjillit.

Ky ungjill mbërriti te ju e po jep fryt e po përparon në mbarë botën, sikurse ndër ju, që nga dita kur e dëgjuat dhe njohët me të vërtetë hirin e Perëndisë. Këtë ungjill jua mësoi Epafrai, bashkëpunëtori ynë i dashur, që është shërbëtor besnik i Krishtit për ju. Ai na foli për dashurinë që ju ka dhënë Shpirti.

Krishti dhe vepra e tij

Prandaj edhe ne, që nga dita kur e morëm vesh këtë gjë, nuk reshtim së luturi për ju dhe i kërkojmë Perëndisë t’ju japë urtinë e mençurinë shpirtërore që ta njihni plotësisht vullnetin e tij. 10 Kështu do të mund të bëni një jetë të denjë për Zotin dhe, ashtu si i pëlqen atij, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë e duke shtuar njohuritë për Perëndinë. 11 Ju do të forcoheni me fuqinë që vjen nga pushteti i lavdishëm i Perëndisë, që të përballoni gjithçka me durim e që me gëzim 12 të falënderoni Atin që ju bëri të denjë të keni pjesën tuaj në trashëgiminë e të shenjtëve në dritë. 13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës e na futi në mbretërinë e Birit të tij të dashur, 14 në të cilin kemi shpengiminb, faljen e mëkateve.

15 Biri është shëmbëllimi

i Perëndisë së padukshëm,

i lindur përpara çdo krijese.

16 Sepse nga ai u krijua gjithçka

në qiej

e në tokë,

të dukshmet

e të padukshmet,

fronet,

zotërimet,

sunduesit

e pushtetet.

Gjithçka u krijua përmes tij e për të.

17 Ai është përpara çdo gjëje,

gjithçka e krijuar qëndron në të.

18 Ai është kreu i trupit,

domethënë i kishës,

fillimi i jetës së re,

i pari që u ngjall

prej të vdekurvec,

që të jetë i pari në gjithçka.

19 Sepse Perëndisë i pëlqeu

që në Birin të banojë

e gjithë plotësia e vetë Perëndisë

20 e të pajtojë me veten e tij,

nëpërmjet Birit,

gjithçka mbi tokë

a në qiej,

duke vendosur paqen

me anë të gjakut

që Biri derdhi në kryq.

21 Edhe ju dikur ishit të huaj për Perëndinë dhe armiq të tij për shkak të mendimeve e veprave tuaja të liga. 22 Por tani Biri ju pajtoi me Perëndinë me anë të vdekjes në trupin e tij njerëzor, që t’ju paraqesë para tij të shenjtë, të patëmetë e të paqortueshëm. 23 Por duhet të qëndroni të fortë në besim, të qëndrueshëm e të palëkundur në shpresën që jep ungjilli që dëgjuat. Ky ungjill i është predikuar gjithë krijesës nën qiell dhe unë, Pali, jam bërë shërbëtor i tij.

Pali i shërben kishës

24 Tani, gëzohem që vuaj për ju dhe që po plotësoj në trupin tim njerëzor atë që u mungon vuajtjeve të Krishtit për trupin e tij, domethënë për kishën. 25 Kësaj kishe i shërbej edhe unë sipas detyrës që më ngarkoi Perëndia për ju, që t’ju predikoj të plotë fjalën e tij. 26 Kjo fjalë është shestimi i Perëndisë, që ka qenë i fshehur gjatë shekujve për të gjitha breznitë, por që tani iu shfaq të shenjtëve. 27 Perëndia donte t’u bënte të njohur atyre pasurinë e lavdisë së këtij shestimi të fshehtë për të gjitha kombet. Ky plan i fshehtë është Krishti në ju, i cili është shpresa juaj për lavdinë që do të vijë.

28 Këtë Krisht predikojmë edhe ne, duke këshilluar e duke mësuar çdo njeri me gjithë urtinë që kemi, me qëllim që të gjithë njerëzit t’i paraqesim të përsosur përmes Krishtit para Perëndisë. 29 Prandaj unë mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së Krishtit që vepron fuqishëm brenda meje.


 a1.2 dorëshk. të tjera edhe: dhe nga Zoti Jezu Krisht!

 b1.14 dorëshk. të tjera edhe: me anë të gjakut të tij

 c1.18 ose: i parëlinduri prej të vdekurve