Juda 1

Përshëndetje

Unë Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit e vëlla i Jakobit, po ju shkruaj juve, të thirrurve në besim, të dashura nga Perëndia Atë e të mbrojtur nga Jezu Krishti: mëshira, paqja e dashuria u shtofshin ndër ju!

Gjykimi i mësuesve të rremë

(2Pj 2.1-17)

Fort të dashurit e mi, kisha një dëshirë të madhe t’ju shkruaj për shpëtimin tonë të përbashkët. Tani është e nevojshme t’ju shkruaj e t’ju nxis të luftoni për besimin që Perëndia ua dha të shenjtëve një herë e përgjithmonë. Mes jush kanë hyrë fshehurazi disa njerëz që janë caktuar qëmoti për këtë dënim. Ata janë të pafe që e kthejnë hirin e Perëndisë në fëlligështi dhe mohojnë Jezu Krishtin, të vetmin sundues e Zot tonin.

Ndonëse i dini të gjitha, dua t’ju kujtoj se Zoti, si e shpëtoi popullin e tij një herë e përgjithmonë nga toka e Egjiptit, më pas shkatërroi ata që nuk besonin. Engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e parë dhe lanë banesën e tyre i ka ruajtur në errësirë me pranga të përjetshme për gjykimin e ditës së madhe. Kujtoni Sodomën e Gomorrën dhe qytetet përreth që u dhanë pas kurvërisë dhe epsheve të tjera. Ato mbeten shembull i atyre që gjykohen në zjarr të amshuar.

Po ashtu edhe këta ëndërrues ndotin trupin, përbuzin pushtetin e Perëndisë dhe fyejnë qeniet e lavdishme qiellore. Kur rragatej me djallin për trupin e Moisiut, kryeengjëlli Mikael nuk guxoi të shprehte ndonjë gjykim fyes kundër tij, por i tha vetëm: «Zoti të gjykoftë!».

10 Ndërsa këta flasin keq për gjëra që nuk i dinë dhe si shtazë pa mend shkatërrojnë veten në gjërat që i njohin prej natyre. 11 Mjerë ata, se kanë marrë udhën e Kainit dhe nga etja për fitim janë dhënë pas mashtrimit të Balaamit dhe u shkatërruan, sepse ngritën krye si Koreu!

12 Këta njerëz janë njolla në darkat tuaja të dashurisë vëllazërore që hanë e pinë pa pikë turpi dhe kujdesen vetëm për veten e tyre. Janë si re pa ujë që i vërdallos era, si drurë vjeshte pa fruta, dy herë të thara e të shkulura nga rrënjët, 13 si dallgë deti të tërbuara që shkumëzojnë turpëritë e tyre dhe si yje të shkëputura e endacake, për të cilat është ruajtur terri i errësirës së amshuar.

14 Për këta ka profetizuar edhe Enoku, i shtati pas Adamit, dhe ka thënë: «Ja ku erdhi Zoti me dhjetëra mijëra engjëj, 15 për t’i gjykuar të gjithë e për të ndëshkuar të gjithë të pafetë për të gjitha veprat e liga që kanë bërë e për të gjitha fjalët fyese që thanë mëkatarët e pafe kundër tij».

16 Këta janë njerëz që murmurisin e ankohen për gjithçka. Ata jetojnë sipas dëshirave të tyre, goja e tyre flet fjalë krenarie dhe njerëzve u thurin lajka për përfitim.

Paralajmërime dhe këshilla

17 Ndërsa ju fort të dashur, kujtoni fjalët që ju kanë thënë më parë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht: 18 «Në kohët e fundit do të ketë përqeshës që do të jetojnë sipas dëshirave të tyre të shthurura». 19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarje, janë njerëz shqisorë dhe nuk e kanë Shpirtin.

20 Ndërsa ju, fort të dashurit e mi, ndërtojeni veten me besimin tuaj shumë të shenjtë e lutuni me fuqinë e Shpirtit të shenjtë. 21 Qëndroni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht për jetën e amshuar. 22 Kini mëshirë për ata që janë me dy mendje. 23 Disa shpëtojini, duke i rrëmbyer prej zjarrit; të tjerët t’i mëshironi me druajtje, duke urryer edhe rrobën e tyre të ndotur nga epshet e trupit.

Bekimi

24 Atij që mund t’ju ruajë për të mos rënë në mëkat e që mund t’ju paraqesë pa të meta e plot gëzim para lavdisë së tij, 25 të vetmit Perëndi, shpëtimtarit tonë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, atij i qofshin lavdia, madhështia, fuqia dhe pushteti që përpara shekujve, tani e për të gjithë shekujt! Amen!


 a1.1 dorëshk. të tjera: të shenjtëruar