Jozuehu 13

Toka të papushtuara

Jozuehu ishte plak e i thyer në moshë tashmë. Atëherë Zoti i tha: «Ti je plakur e je në moshë të thyer, por mbetet ende një pjesë e madhe e vendit për t’u pushtuar. Toka që mbetet për t’u pushtuar përfshin krahinat e filistinëve e të geshuritëve, nga Shihori, përballë Egjiptit, e deri në kufijtë e Ekronit në veri. Kjo është tokë kananite e ndahet në pesë principata filistinësh, principata e Gazës, e Ashdodit, e Ashkelonit, e Gatit dhe e Ekronit, si dhe trojet e avitëve në jug. Mbetet tërë toka e kananitëve, nga Arahu, që i përket sidonasve, deri në Afek e deri në kufijtë e amoritëve. Mbetet edhe toka e gibelitëve dhe tërë krahina e Libanit lindor, nga Gad Baali, në rrëzë të malit Hermon, deri në Lebo Hamat, tërë banorët e malësisë, nga Libani e deri tek ujërat e Misrepotit, ku banojnë sidonasit. Do të jem unë ai që do t’i dëboj para syve të izraelitëve. Ti do t’ua japësh tokën për pronë izraelitëve, siç të kam urdhëruar. Ndajua, pra, këtë vend me short nëntë fiseve të mbetura e gjysmës së fisit të Manaseut».

Ndarja e tokës në Bregun Lindor

Moisiu i dha për pronë fisit të Rubenit e të Gadit, si dhe gjysmës së fisit të Manaseut, tokën përtej Jordanit, në bregun lindor të tij, nga Aroeri, në breg të përroit të Arnonit, dhe nga qyteti në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, deri në Dibon. 10 U dha edhe të gjitha qytetet e Sihonit, mbretit të amoritëve, që sundonte në Heshbon, në kufi me amonitët, 11 Gileadin, trojet e geshuritëve dhe të makatitëve, tërë malin e Hermonit e gjithë Bashanin, deri në Salkah. 12 Edhe tërë mbretërinë e Ogut të Bashanit, që sundonte në Ashtarot e në Edrej. Ogu ishte njëri prej refaitëve të fundit. Ata i kishte mposhtur Moisiu e i kishte dëbuar nga tokat e tyre. 13 Por izraelitët nuk i dëbuan geshuritët e makatitët, që banojnë edhe sot e kësaj dite në Geshur e në Makat.

14 Vetëm fisit të Levit nuk i kishte dhënë trashëgimi, sepse trashëgimia e tyre janë flijimet për Zotin, Perëndinë e Izraelit, siç i kishte thënë Zoti.

15 Toka që Moisiu i dha fisit të Rubenit e pasardhësve të tij, sipas klaneve 16 fillonte në Aroer, në bregun e përroit të Arnonit, përfshinte qytetin që ndodhet në mes të luginës, mbarë rrafshnaltën e Medebës, 17 Heshbonin e të gjitha qytetet që ndodheshin në rrafshnaltë, Dibonin, Bamot Baalin, Bet Baal Meonin, 18 Jahacin, Kedmotin, Mefatin, 19 Kirjataimin, Sibmahun, Ceret Shaharin, që ndodhet në kodrat përmbi luginë, 20 Betpeorin, shpatet e Pisgahut, Bet Jeshimotin 21 e të gjitha qytetet e mbretërisë së Sihonit, mbretit të amoritëve, që kishte mbretëruar në Heshbon, e që Moisiu e kishte mposhtur, bashkë me princat e Midianit, Eviut, Rekemit, Curit, Hurit e Rebës, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë tokë. 22 Izraelitët kishin vrarë me shpatë edhe Balaamin, birin e Beorit, shortarin. 23 Kufiri i pasardhësve të Rubenit ishte lumi i Jordanit. Kjo është prona që morën si trashëgimi pasardhësit e Rubenit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre.

24 Toka që Moisiu i dha fisit të Gadit e pasardhësve të tij, sipas klaneve, 25 fillonte në Jazer, përfshinte të gjitha qytetet e Gileadit, gjysmën e tokës së amonitëve deri në Aroer, përballë Rabahut, 26 shtrihej nga Heshboni në Ramah Micpah, në Betonim e nga Mahanaimi deri në kufijtë e Lo Debarit. 27 Përfshinte edhe luginën ku gjenden Bet Harami, Bet Nimrahu, Sukoti, Cafoni dhe pjesa e mbetur të mbretërisë së Sihonit, mbretit të Heshbonit. Toka e tyre ka për kufi Jordanin e shkon deri në bregun e detit të Kineretit, përtej Jordanit, në bregun lindor. 28 Kjo është trashëgimia e pasardhësve të Gadit, sipas klaneve. Këto janë qytetet e fshatrat e tyre.

29 Toka që Moisiu i dha gjysmës së fisit të Manaseut, pra, gjysmës së pasardhësve të Manaseut, sipas klaneve 30 përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit dhe të gjitha fshatrat e Jairit. Gjithsej gjashtëdhjetë qytete të Bashanit. 31 Trojet përfshinin edhe gjysmën e Gileadit, Ashtarotin, Edrejin, qytetet e mbretërisë së Ogut në Bashan, që iu dhanë njërës pjesë të pasardhësve të Makirit, birit të Manaseut, sipas klaneve.

32 Këto janë pronat që ndau Moisiu në stepat e Moabit, në bregun lindor të Jordanit, kundruall Jerikosë. 33 Moisiu nuk i dha trashëgimi fisit të Levit, sepse trashëgimia e tyre është Zoti, Perëndia i Izraelit, siç u kishte thënë vetë Zoti.