Jozuehu 1

Jozuehu prijës i Izraelit

Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të ZotitZoti foli me Jozuehun, birin e Nunit dhe ndihmësin e Moisiut, e i tha: «Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Tani, ngrihu e kalo Jordanin bashkë me gjithë popullin për në tokën që po u jap bijve të Izraelit. Po ju jap çdo vend ku t’ju shkelë shputa e këmbës, ashtu siç i thashë Moisiut. Që nga shkretëtira e nga Libani e deri në lumin e madh Eufrat, gjithë toka e hititëve deri në detin e madh, ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. Askush nuk do të të bëjë ballë sa të jesh gjallë. Do të jem me ty ashtu siç isha edhe me Moisiun dhe nuk do të të lë e as nuk do të të braktis. Ji i fortë e ki guxim, sepse ti do t’ia japësh për trashëgim këtij populli këtë tokë, për të cilën iu betova etërve të tyre se do t’ua jap. Ti veç ji i fortë e ki shumë guxim, që të mbash ligjin që të urdhëroi Moisiu, shërbëtori im, e të bësh gjithçka sipas tij. Mos iu shmang as djathtas e as majtas, që të kesh mbarësi kudo që të shkosh. Mos e hiq nga goja librin e këtij ligji. Përsiate ditë e natë, që ta mbash e të bësh gjithçka është shkruar në të. Vetëm atëherë do të kesh mbarësi e begati. A nuk të urdhërova të jesh i fortë e të kesh guxim? Mos ki, pra, frikë, sepse Zoti, Perëndia yt, do të jetë me ty kudo që të shkosh».

Përgatitjet për të kaluar Jordanin

10 Jozuehu u dha urdhër krerëve të popullit e u tha: 11 «Kaloni përmes fushimit e jepini popullit këtë urdhër: “Bëni gati ushqimet, sepse pas tri ditësh do të kaloni Jordanin, për të pushtuar tokën, që Zoti, Perëndia juaj, po ju jep si trashëgimi”».

12 Fisit të Rubenit e të Gadit, si edhe gjysmës së fisit të Manaseut, Jozuehu u tha kështu: 13 «Kujtoni urdhrin që ju dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, kur ju tha se Zoti, Perëndia juaj, ju dha prehje dhe se këtë tokë po jua jep ai. 14 Gratë, fëmijët e bagëtitë tuaja të qëndrojnë në tokën që ju dha Moisiu këtej Jordanit, ndërsa trimat tuaj të kalojnë të armatosur në anën tjetër, përpara vëllezërve tuaj. Ndihmojini 15 derisa Zoti t’u japë prehje edhe vëllezërve tuaj, që edhe ata, ashtu si ju, të pushtojnë tokën që po iu jep Zoti, Perëndia juaj. Vetëm atëherë mund të ktheheni për të trashëguar tokën që ju dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, këtej Jordanit, nga lindja e diellit».

16 Ata iu përgjigjën Jozuehut: «Do të bëjmë siç na urdhërove ti e do të shkojmë ku të na dërgosh ti. 17 Ashtu siç kemi dëgjuar Moisiun për çdo gjë, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. Zoti, Perëndia yt, qoftë me ty, siç ishte edhe me Moisiun. 18 Kush nuk ta dëgjon fjalën e nuk u bindet urdhrave të tu do të vritet. Ji i fortë, pra, e ki guxim».