Joeli 1

Këngë vaji

Fjala e Zotit drejtuar Joelit, birit të Petuelit.

«Dëgjojeni këtë, o pleq,

vërini vesh, o banorë të mbarë tokës.

A ka ndodhur diçka e tillë në kohën tuaj

a në kohën e etërve tuaj?

Tregojuani bijve tuaj,

bijtë tuaj fëmijëve të tyre

e ata breznisë së ardhshme.

Çfarë la vemja,

e hëngri karkaleci.

Çfarë la karkaleci,

e hëngri krimbi.

Çfarë la krimbi,

e hëngri bulkthi.

Zgjohuni, o të dehur, e vajtoni,

vini kujën, ju pijanecët e verës,

se ju hoq mushti prej gojës.

Një komb e pushtoi vendin tim,

i fuqishëm e i panumërt është ai,

me dhëmbë luani,

e dhëmballë luaneshe.

Vreshtin ma shkretoi,

fiqtë m’i cungoi,

i zhveshi krejt, i flakëroi,

degët u zbardhën.

Lebetit porsi vasha e veshur me grathore

që dhëndrin e saj vajton.

U zhduk prej shtëpisë së Zotit

kushti i drithit e i stërpikjes,

ndaj vajtojnë priftërinjtë,

shërbëtorët e Zotit.

10 Arat u rrënuan e toka vajton,

se drithi mbaroi,

vera shteroi,

vaji mungon.

11 Turp për ju, o bujq,

klithni, o vreshtarë,

për grurin dhe elbin,

se morën fund prodhimet e fushës.

12 Hardhia u fishk,

fiku u vyshk.

Shega, palma edhe molla,

tërë pemët e fushës, u thanë,

ndaj iu shua gëzimi njerëzisë.

13 Vishuni me grathore e vajtoni, o priftërinj,

klithni, o shërbëtorë të altarit.

Shkoni e kaloni natën veshur me grathore,

o shërbëtorë të Perëndisë tim,

se mungon në shtëpinë e Perëndisë tuaj

kushti i drithit e i stërpikjes.

14 Shpallni agjërim,

thërrisni kuvend,

mblidhini pleqtë

e mbarë banorët e tokës,

në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tuaj,

e klithini Zotit.

15 Vaj për atë ditë,

ditën e Zotit që afron,

se si mynxyrë prej të Pushteshmit vjen.

16 A s’u zhduk ushqimi

prej syve tanë,

gazi e hareja

prej shtëpisë së Perëndisë tonë?

17 Fara e mbjellë u kalb.

Drithnikët u rrënuan,

tëmotjet u shkretuan,

se gruri mori fund.

18 Sa lëngojnë kafshët!

Sorollaten kopetë e gjedhit,

se kullota nuk ka.

Edhe kopetë e dhenve

vuajnë njësoj.

19 Zot, ty të thërras,

se zjarri përpiu kullotat e stepës,

flaka shkrumboi pemët e fushës.

20 Edhe egërsirat gulçojnë për ty,

se u thanë currilat e ujit,

zjarri përpiu kullotat e stepës».