Jobi 8

Fjalimi i Bildadit

Atëherë Bildad Shuhiti u përgjigj e tha:

«Deri kur do të flasësh kështu

e do të fryjnë furishëm fjalët e gojës sate?

A e shtrembëron Perëndia të drejtën?

A e shtrembëron i gjithëpushtetshmi drejtësinë?

Nëse bijtë e tu mëkatuan kundër tij,

ai i la në dorë të paudhësisë së tyre.

Nëse ti e kërkon Perëndinë

e i përgjërohesh të gjithëpushtetshmit,

po të jesh i pastër e i drejtë,

ai menjëherë do të kujdeset për ty

e do ta paqëtojë banesën tënde të drejtë.

Çfarë pate në fillim ishte pak,

në fund do të kesh më shumë.

Shqyrto breznitë e dikurshme

e mendo arritjet e të parëve të tyre.

Sa për ne, ne i përkasim së djeshmes e nuk dimë gjë,

se ditët tona hije janë mbi dhe.

10 A nuk do të të mësojnë ata ty?

Për ty prej zemrës do të nxjerrin kumte.

11 A nuk rritet kallami në moçal?

A zgjatet kallami pa ujë?

12 Ende i gjelbër e pa u prerë

vyshket para çdo bime tjetër.

13 Kësisoj janë shtigjet e atij që harron Perëndinë

e shpresa e të pafeut do të shuhet.

14 Besimi i tij pe i hollë,

rrjetë merimange mbështetja e tij.

15 Nëse mbështetet në shtëpinë e vet, ajo s’do të mbajë,

nëse kapet pas saj, ajo shembet.

16 Ai është bimë e harlisur në diell

që i shtrin filizat në kopsht.

17 Në zall i enden rrënjët,

nëpër gurë depërton.

18 Nëse shkulet nga vendi i vet,

vendi do ta mohojë:

“Kurrë nuk të kam parë!”.

19 Ja, kaq zgjat gëzimi i tij

e prej pluhurit të tjerë do të mbijnë.

20 Shiko! Perëndia nuk e përbuz njeriun e përkryer,

as të mbrapshtëve dorën nuk ua shtrin.

21 Ai do të ta kthejë buzagazin e plotë

e do të ta mbushë gojën me britma hareje.

22 Atë që të urren do ta mbulojë turpi

e banesa e të mbrapshtëve nuk do të qëndrojë».