Jobi 7

«A s’është mundim jeta e njeriut mbi dhe

e ditët e tij si ditët e rrogëtarit?

Siç digjet skllavi për mriz

e siç pret rrogëtari shpërblimin,

ashtu më ranë mua muaj zbrazëtie

dhe m’u caktuan net mjerimi.

Nëse shtrihem, them: “Kur do të ngrihem?”,

por mbrëmja është e gjatë

e unë përpëlitem gjer në ag.

Trupin ma mbuluan krimbat e pluhuri,

kore e plasaritur më është bërë lëkura.

Ditët më ikin më shpejt se vegja e endësit

dhe sosen ku soset shpresa.

Mos harro se një frymë është jeta ime,

sytë e mi nuk do ta shohin më të mirën.

Syri që do të më shohë, nuk do të më dallojë,

kur të m’i hedhësh sytë, nuk do të jem më.

Siç davaritet e kalon reja,

ashtu nuk ngjitet më kush zbret në skëterrë.

10 Nuk kthehet më në shtëpi,

as ka për ta njohur më vendi i tij.

11 Prandaj nuk do ta mbaj gojën,

do të flas me shpirt të brengosur,

do të ankohem me hidhërim në zemër.

12 A jam unë det, apo përbindësh,

që vure rojë përmbi mua?

13 Kur them: “Shtrati do të më lehtësojë,

shtroja do të ma zbusë ankimin”,

14 atëherë ti më tremb me ëndrra

e më tmerron me vegime.

15 Më mirë të ma marrësh frymën,

më mirë të vdes, se të më mbesin veç eshtrat.

16 Jam mekur, nuk do të jetoj përgjithmonë.

Më lër, sepse si fryma janë ditët e mia.

17 Ç’është njeriu që ta madhërosh,

që ta mbash mendjen tek ai,

18 ta vëzhgosh çdo mëngjes

e çdo çast ta vësh në sprovë?

19 Kur do t’i heqësh sytë prej meje?

Nuk më lë vetëm as të gëlltis pështymën.

20 Nëse mëkatova, ç’të bëra ty, o rojtar i njerëzimit?

Pse më vure në shënjestër e u bëra i rëndë edhe për vete?

21 Pse nuk ma shlyen fajin e nuk ma harron ligësinë,

se tani do të shtrihem në pluhur,

do të më kërkosh e nuk do të më gjesh?».