Jobi 5

Perëndia qorton Jobin

«Thirr, pra! A ka kush të përgjigjet?

Kujt do t’i drejtohesh, ndër të shenjtë?

Të marrin e ther mëria

e të pamendin smira e vret.

Pashë tek zinte rrënjë i marri,

por fill ia mallkova banesën.

Bijtë e tij nuk kanë shpëtim,

i shkelin para të gjithëve e s’ka kush i liron.

Të korrat ia ha i urituri,

edhe në dhënçin ferra.

Të babëziturit ia rrëmbejnë katandinë.

Jo, lëngata nuk mbin nga pluhuri,

e as pikëllimi nuk mbin prej dheut,

por për t’u pikëlluar ka lindur njeriu,

sikurse shkëndijat për të fluturuar lart.

Por unë do të kërkoja Perëndinë

e Perëndisë do t’ia shtroja çështjen.

Ai bën vepra madhështore e të pashqyrtueshme,

bën mrekulli të panumërueshme.

10 Ai e hedh shiun mbi dhe

e ujin e lëshon mbi ara.

11 Ai i lartëson të përulurit

e vajtorët i ngre të sigurt.

12 I zhbën shestimet e tinëzarëve

e duart e tyre nuk sjellin mbarësi.

13 I zë të urtët në tinëzinë e tyre

e synimet e dinakëve shemben shpejt.

14 Gjatë ditës hasin në errësirë,

në mesditë kuturisin si nëpër natë.

15 Por ai e shpëton nevojtarin

nga shpata e gojës së tyre

e nga dora e të fortëve.

16 Ka shpresë për të vobektin,

padrejtësisë i mbyllet goja.

17 Pra, lum njeriu, që Perëndia e qorton!

Mos e përçmo mësimin e të gjithëpushtetshmit,

18 se ai lëndon, por e lidh plagën,

godet, por me dorën e vet shëron.

19 Të liron nga gjashtë mundime

dhe lëngata e shtatë nuk do të të bjerë.

20 Kur të bjerë zija e bukës,

të shpëton nga vdekja

e nga tehu i shpatës në betejë.

21 Do të strehohesh nga fshikullimi i gjuhës

e, në ardhtë rrënimi, nuk do të druash.

22 Do të tallesh me shkretimin e me urinë,

nuk do të trembesh nga egërsirat e dheut.

23 Do të lidhësh besë me gurët e arës

dhe egërsirat paqe do të kenë me ty.

24 Do ta shohësh se tenda jote është e sigurt,

do të qëmtosh pronën e asgjë s’do të mungojë.

25 Do ta shikosh si do të të shtohet fara

e pinjojtë e tu si bari i dheut.

26 Do të hysh në varr i mbajtur e i fortë,

si kalliri i pjekur në kohën e vet.

27 Ja, këtë gjë e hetuam dhe ashtu është.

Dëgjoje, që ta dish për vete».