Jobi 42

Jobi sheh Perëndinë e dorëzohet

Jobi iu përgjigj Zotit e i tha:

«E di se gjithçka mundesh

e asnjë shestim s’e ke të pamundur.

Kush t’i mbulon synimet me padije?

Prandaj fola pa kuptuar, se nuk i njoh mrekullitë.

Por ti më dëgjo e unë do të flas.

Unë do të të pyes e ti më mëso.

Unë të njihja veç me të dëgjuar,

por tani të panë sytë e mi,

prandaj më vjen keq e pendohem

në pluhur e hi».

Perëndia qorton miqtë e Jobit

Pasi i tha Jobit këto fjalë, Zoti i foli Elifaz Temanitit: «Kundër teje është ndezur zemërimi im e kundër dy shokëve të tu, sepse nuk folët drejtë për mua, si shërbëtori im Jobi. Tani merrni shtatë buaj e shtatë desh e shkoni te shërbëtori im Jobi për t’i kushtuar si fli shkrumbimi për vete. Atëherë Jobi, shërbëtori im, do të lutet për ju dhe unë do t’ia dëgjoj lutjen e nuk do t’ju ndëshkoj për marrëzinë tuaj, sepse nuk folët drejtë për mua, si shërbëtori im Jobi».

Atëherë Elifaz Temaniti, Bildad Shuhiti e Cofar Namatiti shkuan e bënë siç u tha Zoti dhe Zoti ia dëgjoi lutjen Jobit.

Perëndia ia kthen begatinë Jobit

10 Kur Jobi u lut për miqtë e vet, Zoti ia ktheu begatinë dyfish më shumë se përpara. 11 Atëherë erdhën tek ai të gjithë vëllezërit e tij, të gjitha motrat e të gjithë ata që e kishin njohur më parë. Hëngrën bukë me të në shtëpinë e tij, e forcuan dhe e ngushëlluan për të gjithë pikëllimin që i kishte çuar Zoti. Pastaj secili i dhuroi nga një sasi parash e nga një unazë ari.

12 Zoti e bekoi jetën e pastajme të Jobit më shumë se të mëparshmen. Ai mori në zotërim katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe e një mijë gomarica. 13 Pati edhe shtatë djem e tri vajza. 14 Të parën e quajti Jemima, të dytën Kezia e të tretën Kerenhapuka. 15 Mbi mbarë dheun nuk kishte gra më të bukura se bijat e Jobit dhe i ati ua la trashëgiminë atyre dhe vëllezërve të tyre.

16 Pastaj Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe pa bijtë e bijve të vet deri në të katërtin brez. 17 Jobi vdiq i moshuar e i nginjur me ditë.