Jobi 41

«Ja, ti shpreson e zhgënjehesh,

e shikon dhe rrëzohesh.

Nuk ka trim që ta ngacmojë

e kush mund t’i bëjë ballë?

Kush e sulmoi dhe shpëtoi?

Kush vallë nën qiellin mbarë?

Nuk do ta mbuloj me heshtje forcën e ijëve të tija,

as hijeshinë e shtatit të tij.

Kush vallë ia zhveshi petkun?

Kush hyri vallë ndër nofullat e tij?

Kush mund t’ia hapë kanatet e gojës,

se me tmerr i ka të rrethuar dhëmbët.

E mbulojnë radhët madhështore të shqytit,

e kyçin fort si me vulë.

Aq puthiten me njëra-tjetrën,

sa përmes tyre as era s’kalon.

Kapen fort me njëra-tjetrën,

ngjiten e më nuk shqiten.

10 Teshtima e tij shpërthen si dritë

e si qepallat e agimit i ka sytë.

11 Nga goja i dalin flakërima,

shkëndija zjarri i vërshojnë.

12 Nga hundët tymi i del,

si prej kazanit mbi zjarrin që i fryhet.

13 Fryma e tij i përndez thëngjijtë

e flaka prej gojës i del.

14 Në qafë e ka forcën

e përballë tij dridhet tmerri.

15 Të ngjeshura i ka palët e mishit

që është i ngurtë e nuk lëviz.

16 Zemrën e ka të ngurtë si gurin,

të ngurtë si gurin e poshtëm të mullirit.

17 Kur ai ngrihet, të fortët frikësohen,

kur ai përplaset, ata trullosen.

18 Nëse e godet shpata, nuk i ngulet,

as heshta, as shigjeta, as shtiza.

19 Si kashtë është hekuri për të

e bronzi si dru i kalbur.

20 Nuk ikën fare as nga shigjeta

e gurët e hobes i duken si byk.

21 Si byk i duket edhe shkopi

e qeshet me vringëllimën e shtizës.

22 Nën bark ka tjegulla majëmprehta

e në deltinë lesën e shtrin.

23 E flluskos detin si kazan,

si enë vajrash e bën.

24 Nga pas lë një shteg vezullues

e humnera duket thinjoshe.

25 Nuk ka mbi tokë si ai,

krijuar për të mos u trembur.

26 Vrojton nga lart gjithçka,

është mbret mbi tërë bishat krenare».