Jobi 4

Qortimi i Elifazit

Atëherë Elifaz Temaniti u përgjigj e tha:

«A mund të flitet me ty, apo s’ke durim?

Po kush mund të rrijë pa folur?

Ja, shumë veta ke mësuar

e duart e mekura ke përtërirë.

Fjalët e tua kanë ringritur të rrëzuarit

e gjunjëprerët ke mëkëmbur.

Tani e ke radhën ti e nuk duron,

të ra ty e u trullose.

A nuk ke besim te droja e Perëndisë

e shpresë te sjellja e përsosur?

Thirri mendjes, cili i pafajshëm u rrënua?

Ku është ai i drejtë që u shkatërrua?

Me sa kam parë unë, kush mih ligësi

e mbjell prapësi, ato edhe korr.

Ata i rrënon puhiza e Perëndisë,

i fundos fryma e zemërimit të tij.

10 Ulërin luani, bërtet egërsira

e dhëmbët e këlyshit bëhen copë.

11 Luani ngordh se s’ka pre

e shpërndahen këlyshët e tij.

12 Tinëz më erdhi fjala,

pëshpërima e saj më ra në vesh.

13 Në trazimin e vegimeve të natës

kur njerëzinë e zë gjumë i thellë,

14 më zuri tmerri e drithërima,

edhe eshtrat m’u drodhën.

15 Një frymë ma përshkoi fytyrën

e m’u ngritën qimet përpjetë.

16 U ndal, por s’ia njoha pamjen:

një trajtë para syve të mi.

Heshtje. Pastaj një zë dëgjova:

17 “A ka vdekatar të drejtë para Perëndisë?

A ka njeri të pastër para krijuesit të vet?”.

18 As shërbëtorëve s’u zë besë,

edhe engjëjve ua gjen një të metë.

19 Aq më shumë banorëve të qerpiçëve,

që i kanë themelet në pluhur

e shkelen porsi tenja.

20 Shkërmoqen sa gdhin e ngryset.

Papandehur, zhduken përgjithmonë.

21 U këputet filli

e vdesin pa urti».