Jobi 35

Vijimi i qortimit të Elihuit

Elihui foli sërish e tha:

«A të duket i drejtë mendimi yt,

ty që thua: “Kam të drejtë më shumë se Perëndia”?

dhe thua: “Çfarë të duhet ty?

Po unë, çfarë fitoj prej mëkatit tim?”.

Unë do të të përgjigjem ty

e miqve të tu me ty.

Vështroje qiellin e shikoi retë

që janë më lart se ty.

Nëse mëkaton, çfarë i bën vallë atij?

Nëse janë shumë fajet e tua, atij çfarë i bën?

Po të jesh i drejtë, çfarë i jep atij?

Çfarë mund të marrë ai prej dorës sate?

Njerëzit si ti i prek paudhësia jote,

të gjithë njerëzit i prek drejtësia jote.

Kur pesha e shtypjes rëndon, njerëzit bërtasin,

ndihmë kërkojnë kundër dorës së pushtetarit.

10 Por askush nuk thotë: “Ku është Perëndia, krijuesi im,

që e mbush natën me këngë,

11 që na bën më të ditur se shtazët e tokës

e më të zgjuar se zogjtë e qiellit?”.

12 Atëherë klithën, por ai s’iu përgjigj,

për shkak të krenarisë së të ligjve.

13 Perëndia nuk e dëgjon britmën e kotë,

nuk i vë vesh i gjithëpushtetshmi,

14 e aq më pak ty që thua se nuk e sheh.

Prit se çështja jote gjendet para tij.

15 E tani që zemërimi i tij nuk ndëshkon

e ai nuk e vëren marrëzinë e tepruar,

16 më kot e hap gojën Jobi

e pa dijeni flet fjalë të shumta».