Jobi 34

Qortimi i Elihuit

Elihui foli sërish e tha:

«Dëgjojini, o të urtë, fjalët e mia,

edhe ju, o të ditur, mbamëni vesh,

pasi veshi fjalët i dallon

e qiellza gjellën e shijon.

Le ta zgjedhim vetë çfarë është e drejtë,

vetë le ta pranojmë çfarë është e mirë,

se Jobi tha: “I drejtë unë jam,

por të drejtën ma mori Perëndia.

I drejtë jam e më bëjnë gënjeshtar,

më shigjetojnë për vdekje e faj nuk kam”.

Cili njeri është porsi Jobi,

që talljen gjerb si ujin,

që bredh me punëkeqët

e me rrengshorët shëtit,

pasi tha me vete: “S’ka dobi njeriu

Perëndinë të kërkojë!”.

10 Prandaj, o zemërmirë, dëgjomëni mua:

larg Perëndisë paudhësia,

larg të gjithëpushtetshmit padrejtësia!

11 Ai e shpërblen njeriun për çka bën,

e si të sillet njeriu ashtu edhe e gjen.

12 Vërtet Perëndia nuk bën ligësi,

të drejtën i gjithëpushtetshmi s’e shtrembëron.

13 Kush e caktoi të sundojë tokën

e kush e përftoi tërë gjithësinë?

14 Po të merrej me veten e vet

dhe shpirtin e frymën për vete ta mbante,

15 njëherësh do të shuhej çdo qenie e gjallë

e njerëzia në pluhur do të kthehej.

16 Nëse ke mend, dëgjoje këtë gjë,

vëri vesh tingëllimës së fjalëve të mia.

17 A mund të sundojë kush e urren drejtësinë?

E ti do të dënosh të drejtin e fuqishëm,

18 atë që mbretit: “Krahëthatë!”, i thotë

e fisnikëve: “Të paudhë!”,

19 që princave anën nuk ua mban

e të pasurin s’e vë para të varfrit,

sepse të gjithë dora e tij i bëri.

20 Në mes të natës papritur vdesin,

dridhen popujt e kalojnë,

pa vënë dorë njeri rrëzohen trimat.

21 Ai sytë tek udhët e njerëzve i mban

e i sheh të gjithë hapat e tyre.

22 Nuk ka terr as terrinë

ku të fshihen punëligjtë.

23 Kohën askujt s’ia ka caktuar

para Perëndisë në gjyq të dalë.

24 I këput të pushtetshmit pa i hetuar

e në vendin e tyre të tjerë vendos.

25 Meqë i njeh veprat e tyre,

për një natë i përmbys e i shtyp.

26 Si keqbërës i shuplak,

në një vend ku të gjithë i shohin,

27 se prej tij u larguan

e i shpërfillën tërë udhët e tij.

28 Tek ai mbërriti klithma e skamnorëve,

klithmën e të pikëlluarve e dëgjoi.

29 Kur ai hesht, kush e dënon?

Nëse fsheh fytyrën, kush vallë e sheh?

Por mbi kombe e mbi njerëz njëherësh sundon,

30 që njeriu i pafe të mos mbretërojë

e as ata që popullit kurth i ngrenë.

31 A i thotë kush Perëndisë:

“Pësova e nuk do të mëkatoj.

32 Çfarë nuk shoh vetë, ti ma mëso,

në kam bërë keq, më s’do ta bëj”?

33 A duhet të të shpërblejë siç mendon ti?

Ti që e shpërfille, vendos pra,

e thuaj çfarë di.

34 Njerëzit me mend do të më thonë,

bashkë me njeriun e urtë që më dëgjon:

35 “Jobi nuk flet si i ditur,

nuk janë të mençura fjalët e tij”.

36 Le të sprovohet Jobi deri në fund,

se si keqbërës përgjigjet.

37 Mëkatit i shton kryeneçësinë

e mes nesh mbjell dyshim,

se flet gjithnjë e më shumë kundër Perëndisë».