Jobi 33

Elihui qorton krenarinë e Jobit

«Tani, o Job, dëgjo çfarë do të them

e tërë fjalëve të mia vëru vesh!

Ja, unë hap gojën

e gjuha nën qiellzë flet.

Nga zemra e sinqertë fjalët mua më rrjedhin

e buzët e mia e dinë se flasin me pastri.

Shpirti i Perëndisë mua më bëri,

fryma e të gjithëpushtetshmit jetën mua ma dha.

Gjegjmu, po qe i zoti,

gatitu para meje e zër vend.

Ja, te Perëndia njësoj si ti unë jam,

nga balta edhe unë u nxora.

Mos ki, pra, frikë prej meje

e trysnia ime mos të të rëndojë.

Ti fole, po, e zërin e fjalëve të tua

me veshët e mi e dëgjova:

“Jam i pastër, s’kam bërë shkelje,

nuk kam faj e s’kam ligësi.

10 Ja, Perëndia gjen shkas

për të më bërë armik.

11 Këmbët në pranga m’i vë,

i mbikëqyr tërë shtigjet e mia”.

12 E unë të them: këtu nuk ke të drejtë.

Më i madh se çdo njeri është Perëndia.

13 Pse matesh me të

e thua s’të kthen çdo fjalë?

14 Një herë flet Perëndia

e të dytën herë nuk rroket.

15 Në ëndërr, natën në vegim,

kur mbi njerëzinë kllapia bie,

e ndër shtroja ata dremisin,

16 njerëzve ai veshët ua hap

e ua mbush me udhëzime,

17 për ta kthyer njerëzinë nga zararet

e për ta zhveshur nga krenia,

18 për t’ia shpëtuar shpirtin nga gropa

e jetën nga ushta vringëlluese.

19 Ai e qorton me dhimbje në shtrojë

e me dridhje kockash pa pushim,

20 aq sa në jetë edhe buka i neveritet

e në shpirt edhe gjella më e këndshme.

21 Mishi i tij fishket e s’shihet më

e i dalin kockat që nuk i shiheshin.

22 Gropës shpirti i tij iu qas

e vdekjeprurësve jeta e tij.

23 Ah, sikur të vijë pranë një engjëll,

një ndër një mijë ndërmjetësues,

për t’i treguar njerëzisë të drejtën,

24 për t’i dhënë hir e për të thënë:

“Shpëtoje, o Perëndi, nga gropa ku po bie!

E gjeta unë shpagimin”.

25 Më shumë se në rini do të zhdërvillet mishi i tij

e në ditët e djalërisë prapë do të kthehet.

26 Perëndisë do t’i lutet e ai do ta pranojë,

me galdim fytyrën do t’ia shohë

e njeriut drejtësinë prapë do t’ia kthejë.

27 Do të hasë në njerëz e do t’u thotë:

“Mëkatova, por prapësia që bëra nuk m’u kthye.

28 Ai ma shpëtoi shpirtin nga groposja

e tani, i gjallë, mund të kundroj dritën”.

29 Ja, të gjitha këto i bën Perëndia,

dy-tri herë, për njeriun,

30 për t’ia rinxjerrë nga gropa shpirtin,

jetën me dritë për t’ia shndritur.

31 Ki mendjen, Job, e më dëgjo,

ti hesht e unë do të flas.

32 Nëse ke diçka për të thënë, përgjigjmu,

fol, se të drejtë dua të të jap.

33 Nëse s’ke asgjë, ti më dëgjo,

hesht e unë do të ta mësoj urtinë».