Jobi 32

Ndërhyrja e Elihuit

Tre burrat nuk iu përgjigjën më Jobit, se atij i dukej vetja i drejtë. Atëherë Elihui, biri i Barahel Buzitit, prej fisit të Ramit, u zemërua fort me Jobin, për shkak se e hiqte veten më të drejtë se Perëndia. Ai u zemërua shumë edhe me tre shokët e tij, se ata, edhe pse e dënonin Jobin, nuk e kishin gjetur përgjigjen. Elihui kishte pritur e nuk kishte folur me Jobin, ngaqë ata ishin më të moshuar. Kur Elihui pa se nga goja e tre burrave nuk doli asnjë përgjigje, u zemërua se tepërmi.

Atëherë Elihui, biri i Barahel Buzitit, u përgjigj e tha:

«Thashë me vete: “Le të flasë mosha

e urtinë vitet e shumta le ta kumtojnë!”.

Mirëpo vetëm shpirti e jepka kuptimin,

ai dhe fryma e të gjithëpushtetshmit.

Nuk janë të urtë veç të moshuarit

e të drejtën s’e kuptojnë veç pleqtë.

10 Prandaj unë thashë: “Dëgjomëni!

Dua edhe unë ta shpalos dijen time”.

11 Ja, i prita fjalët tuaja,

mençurinë tuaj e dëgjova

kur po kërkonit fjalët.

12 Jua vura mendjen, por ja,

askush s’e mposhti Jobin,

fjalëve të tij asnjëri s’iu përgjigj.

13 Edhe mos thoni: “Ja çfarë është e urtë:

Perëndia ta mposhtë, e jo njeriu”.

14 Asnjë fjalë s’ma drejtoi mua

e s’do t’i përgjigjem me fjalët tuaja.

15 U mposhtën e s’u përgjigjën më,

u iku fjala nga goja.

16 Unë prita, por ata nuk folën,

u ndalën e s’u përgjigjën më.

17 Por edhe unë, unë vetë do të them diçka,

edhe unë do ta shpalos dijen time.

18 Dëng unë jam me fjalë

e shpirti më shtyn nga brenda.

19 Përbrenda jam si vera që s’merr frymë

e i pëlcet kacekët e rinj.

20 Duhet të flas e të shfrej,

ta hap gojën e të gjegjem.

21 Nuk do t’i mbaj krah askujt,

as do të lajkatoj njeri,

22 se lajkat nuk i njoh

e do të më zhbënte bërësi im».