Jobi 30

Mjerimi i Jobit

«Por sot me mua tallen

më të rinjtë se unë,

etërit e tyre s’i vija

as me qentë e grigjës.

Ç’më duhet fuqia e duarve të tyre?

Vrullin ata e humbën.

Në skamje e uri,

ndër djerrina dhëmbët kruajnë,

ndër rrënojat e shkretimit.

Brejnë tagji e gjethe shkurresh,

ngrohen me rrënjë gjineshtre.

Njerëzit i dëbojnë nga shoqëria

e u bërtasin si të ishin kusarë.

Ata banojnë ndër shpate luginash,

në shpella dheu e ndër shkëmbinj.

Ulërijnë nëpër shkurre

e mblidhen nëpër hithra,

pjellë e marrëzisë e bij të askushit,

nga toka të dëbuar.

Me këngë tani më tallin

e përrallë për ta u bëra.

10 Neveriten prej meje, prej meje largohen

e në fytyrë më pështyjnë pa ngurrim.

11 Perëndia ma shkrehu harkun e më këputi

e ata nuk kanë më fre me mua.

12 Në të djathtë më ngrihet lukunia,

këmbëve më bëjnë t’ua mbath

e udhën e rrënimit ata më shtrojnë.

13 Rrugën ma presin,

rrënimin më kurdisin

e askush s’i ndal.

14 Vijnë si nga zgavra të gjera,

prej rrënojash rrëshqanë dalin.

15 Tmerri u soll kundër meje,

nderi porsi era më shtillet

e si reja shkoi begatia ime.

16 E tani shpirti po më fishket,

ditët e pikëllimit më kapluan.

17 Natën dhimbja kockat m’i ther

e brejtja s’më lë të qetë.

18 Më kap me forcë për petkash,

qafëzën e tunikës ma shtrëngon.

19 Në llucë më plandosi,

pluhur e hi u bëra.

20 Unë të thërras ty, por ti nuk përgjigjesh,

qëndroj para teje, por ti s’më përfill.

21 U bëre mizor me mua,

me dorë të rreptë më përndjek.

22 Më ngre kaluar në erë

e më përplas në stuhi.

23 E di se më çon drejt vdekjes,

në shtëpinë që për tërë të gjallët u caktua.

24 A nuk shtrihet dora pas rrënimit,

nëse lypet ndihmë në mjerim?

25 A nuk qava me ditëzinjtë?

A nuk m’u dhimbs në shpirt skamnori?

26 Prisja të mirën e më zuri e liga,

prisja dritën e më zuri terri.

27 Më ziejnë zorrët pa pushim

e ditë pikëllimi më mësyjnë.

28 Endem i ngrysur e s’ka diell për mua,

ngrihem në kuvend e thërras për ndihmë.

29 Vëlla me çakejtë u bëra

e shok me zogat e strucit.

30 Zi m’u bë lëkura e po më rripet

edhe vapa kockat po m’i djeg.

31 Për vajtim e kam lirën

e fyellin për zë gjëmëtarësh».