Jobi 28

Misteri i urtisë

«Po, argjendit i gjenden xehja,

edhe arit shkritorja.

Hekuri prej dheut nxirret

e bakri prej gurit del.

Njeriu e ndal errësirën

e në çdo skaj rrëmon

gurin e territ e të pisës.

Hapin hurdha larg vendbanimit,

ku nuk shkel këmba e udhëtarit

e, larg njerëzisë, pezull lëkunden.

Toka prej nga del buka

përposh vlon si zjarr.

Te gurët e saj gjendet safiri

dhe ari te pluhuri i saj.

Atë shteg s’e njeh as shpendi grabitqar,

nuk e pikas as syri i skifterit,

nuk e rreh as egërsira krenare,

nuk e përshkon dot as luani.

Njeriu ngre dorë kundër granitit,

i përmbys malet që në rrënjë.

10 Nëpër shkëmbinj tunele hap

e sytë e tij shquajnë çdo gjë të çmueshme.

11 Burimet e lumenjve bën zap

e gjërat e fshehura në dritë i nxjerr.

12 Po urtia, prej nga mund të nxirret?

Ku është vallë vendi i mençurisë?

13 Njerëzit asaj vlerën nuk ia njohin

e nuk gjendet në dheun e të gjallëve.

14 Humnera thotë: “Nuk është tek unë”.

E deti thotë: “Nuk është në mua”.

15 Nuk shkëmbehet dot me ar të kulluar,

nuk peshon argjendi sa çmimi i saj.

16 Nuk blihet me ar Ofiri,

me oniks apo me zafir të çmuar.

17 Nuk krahasohet me ar, as me qelq

e nuk shkëmbehet me enë ari të kulluar.

18 As të mos përmenden koralet e kristalet,

se më shumë se perlat vlen urtia.

19 Nuk matet me të topazi i Kushit

e nuk paguhet, jo, me ar të kulluar.

20 Po urtia, prej nga mund të vijë?

Ku është, vallë, vendi i mençurisë?

21 U përvodh nga sytë e tërë të gjallëve,

edhe nga zogjtë e qiellit është fshehur.

22 Humnera e vdekja thonë:

“Kemi dëgjuar të flitet për të”.

23 Por, Perëndia e njeh udhën e saj,

ai e di ku ndodhet ajo.

24 Ai e sheh tokën skaj më skaj

dhe gjithçka nën qiell shikon.

25 Kur i dha erës peshën,

kur ujërat mati e peshoi,

26 kur shiut rregullin i caktoi

e shtegun vetëtimës gjëmuese,

27 atëherë e pa dhe e kumtoi,

e caktoi dhe e shqyrtoi

28 e i tha njerëzimit:

“Ja, droja e Zotit, ajo është urtia.

Shmangu nga e keqja e kjo është mençuria”».