Jobi 27

Vijimi i fjalimit të Jobit

Jobi mori sërish fjalën e tha:

«Pasha Perëndinë që ma hoqi të drejtën,

pasha të gjithëpushtetshmin që ma helmoi shpirtin,

sa të kem frymë në mua

e shpirt Perëndie në flegrat e mia,

buzët e mia ligësira nuk do të thonë

e prej gjuhës sime nuk do të dalë mashtrim.

Larg qoftë t’ju jap të drejtë,

e pa dhënë shpirt unë, vetes nuk ia mohoj drejtësinë.

Fort e mbaj drejtësinë time e nuk e lëshoj,

s’më qorton zemra për asnjë nga ditët e mia.

I rëntë armikut tim fati i të paudhit,

fati i keqbërësit kundërshtarit tim.

Çfarë shprese ka i pafeu kur këputet,

kur Perëndia jetën ia merr?

A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij,

kur ai të ketë rënë ngushtë?

10 A do të kënaqet me të gjithëpushtetshmin?

Do ta thërrasë Perëndinë kurdoherë?

11 Unë do t’ju mësoj si sillet Perëndia,

nuk do t’jua fsheh ç’mendon i gjithëpushtetshmi.

12 Ja, të gjithë ju vetë e shihni

e pse me kotësira kot po merreni?

13 Këtë fat merr njeriu i mbrapshtë nga Perëndia,

këtë trashëgim mujshari nga i gjithëpushtetshmi:

14 në pastë shumë bij, mbi ta rëndon shpata

e pinjojtë e tij me bukë nuk do të ngopen.

15 Të mbijetuarit do t’ia groposë murtaja,

e të vejat nuk do t’i vajtojnë.

16 Nëse si dheun do ta mbledhë argjendin

e si baltën petkat t’i gatitë,

17 t’i gatitë, por do t’i veshë i drejti

e argjendin i pafajshmi do ta ndajë.

18 Të brishtë si merimanga e ndërtoi shtëpinë,

si streha që ndërton rojtari.

19 Shtrihet i kamur, por më kot,

hap sytë e s’gjen asgjë.

20 E zë tmerri, porsi uji vërshues,

natën vorbulla e përpin.

21 E merr era e lindjes dhe merr fund,

e shkul nga vendi i vet.

22 E vërvit pa mëshirë

e ai nga dora përpiqet t’i ikë.

23 Duartrokasin kundër tij

e nga vendi i tyre kundër tij fërshëllejnë».