Jobi 24

«Pse i gjithëpushtetshmi nuk e caktoi një kohë

dhe ata që e njohin ditët e tij s’i shohin?

Të paudhët lëvizin kufijtë,

rrëmbejnë tufat e i kullotin.

Jetimëve ua marrin gomarin,

të vesë kaun i marrin peng.

Dëbojnë nga udha nevojtarët

e skamnorët e dheut bashkë fshihen prej tyre.

Ja, si gomarët e egër në shkretëtirë

për punë dalin e kërkojnë ushqim

dhe djerrina ushqim u jep për fëmijë.

Ndër ara ushqim mbledhin,

ia vjelin të paudhit vreshtin.

Cullak e kalojnë natën, pa u veshur,

e në të ftohtë mbulojë nuk kanë.

I lag shiu i malit

e shkëmbit i qepen për strehim.

Të paudhët nga mëkimi ndajnë jetimët

e gjënë e skamnorit peng e marrin.

10 Pa petka ecin zhveshur

e të uritur duajt mbartin.

11 Në zagna vajin e shtrydhin,

shtrydhin rrush, por të etur mbeten.

12 Rënkojnë nga qyteti të sëmurët për vdekje,

të plagosurit çirren e kërkojnë ndihmë,

por Perëndia nuk i dëgjon këto përçartje.

13 Ata nuk e durojnë dritën,

s’i njohin rrugët e saj,

shtigjet e saj nuk i ndjekin.

14 Me dritë ngrihet vrasësi,

skamnorin vret e mjeranin

e, kur bie nata, është porsi kusar.

15 Syri i kurorëshkelësit përgjon në mugëtirë,

thotë: “Askush s’më sheh”

dhe mbulon fytyrën.

16 Në errësirë shtëpitë dhunon,

por ditën brenda mbyllet, pa e njohur dritën.

17 Për të gjithë ata mëngjesi është terrinë

e tmerret e saj mirë ata i njohin.

18 Pa ujë ata ngelin,

nëmur është toka e tyre

e vreshtat askush s’ua sheh.

19 Siç thajnë ujin e borës thatësira e vapa,

ashtu mëkatarin skëterra e përpin.

20 I harron barku i nënës, por i shijojnë krimbat.

Nuk lënë pas kujtim,

se ligësia këputet, siç këputet pema.

21 Ngacmojnë gruan beronjë

e të vesë s’ia bëjnë të mirën.

22 Por Perëndia të fortët me forcë i mban,

ringrihen kur s’kanë më shpresë për jetë.

23 U jep siguri e ata kanë mbështetje,

sytë hapur i mban mbi udhën e tyre.

24 Lartohen një grimë e pastaj s’janë më,

fundosen e vyshken si të gjithë,

porsi kokrra e grurit thahen.

25 Nëse s’është kështu, kush më përgënjeshtron

e fjalën poshtë ma hedh?».