Jobi 21

Të paudhët i shpëtojnë ndëshkimit

Jobi u përgjigj e tha:

«Dëgjoni me vëmendje fjalët e mia

e ky do të jetë ngushëllim për mua.

Duromëni e unë do të flas

dhe, si të kem folur, përqeshmëni.

Vallë kundër një njeriu po ankohem?

Pse të mos e humb duresën?

Kthehuni kah unë e shtanguni,

Mbajeni gojën me dorë.

Tronditem kur kujtohem

e mishi më rrëqethet.

Pse vallë rrojnë të paudhët,

madje moshohen e forcohen më shumë?

Bijtë pranë tyre zënë vend

me pinjojtë e tyre para syve.

Të qeta i kanë shtëpitë e s’tremben,

nuk i godet shkopi i Perëndisë.

10 Mëzati i tyre ndërzen e s’i del huq,

lopa e tyre nuk e dështon viçin.

11 Djemtë e tyre porsi grigja dalin

e valle fëmijët e tyre hedhin.

12 I bien dajres e lirës,

me tinguj fyelli ata kënaqen.

13 I ngrysin ditët në begati

e të qetë zbresin në skëterrë.

14 Perëndisë i kanë thënë: “Larg nesh!

S’duam t’i njohim udhët e tua.

15 Çfarë është i gjithëpushtetshmi, që t’i shërbejmë?

E çfarë fitojmë, po t’i përgjërohemi?”.

16 Ata e kanë vetë në dorë begatinë,

por, larg meje këshilli i të paudhëve!

17 Sa herë u shuhet kandili të paudhëve?

Sa herë i zë zezona?

Sa herë Perëndia i brengos i zemëruar?

18 Mos janë si kashta që e merr era

apo si byku që e përlan furtuna?

19 Thuhet se Perëndia e ruan ndëshkimin për bijtë e të ligut.

Le t’i ndëshkojë, pra, ata, që të marrin vesh!

20 Me sytë e vet ta shohin rrënimin

e zemërimin e të gjithëpushtetshmit të pinë.

21 Për kë lënë pas nuk mërziten,

kur muajt e jetës krejt t’u kenë mbaruar.

22 A i mësohet dija Perëndisë,

atij që gjykon ata që janë lart?

23 Dikush vdes në begati,

fare i qetë e fare i kënaqur,

24 me ijët plot qumësht

e me palcën njomur.

25 Dikush vdes me shpirt të hidhëruar,

të mirën kurrë pa e shijuar.

26 Në pluhur njësoj prehen

e krimbat i mbulojnë.

27 Ah, sa mirë i njoh mendimet tuaja,

shestimet tuaja, për të më mujshuar.

28 Se më thoni: “Ku është shtëpia e fisnikut?

Ku është tenda e banimit të të paudhëve?”.

29 Pse nuk pyetët udhës kalimtarët

e nuk pranoni provat e tyre,

30 se në ditën e mynxyrës shpëton i paudhi,

në ditën e furisë ai e gjen rrugëdaljen.

31 Kush i qorton ndër sy për sjelljen e tyre

e kush ua kthen për çfarë kanë bërë?

32 Pasi ta kenë çuar në varrezë të ligun,

mbi varrin e tij do të vënë rojë

33 e lehtë plisat e dheut mbi të do të prehen.

Pas tij do të shkojë gjithë njerëzia,

e panumërt do të ecë para tij.

34 Si doni të më ngushëlloni me kotësira?

Përgjigjet tuaja janë veç dredhi?».