Jobi 19

Jobi beson se do të shpëtojë

Jobi u përgjigj e tha:

«Deri kur do të ma lodhni shpirtin

e do të më shtypni me fjalime?

U bënë dhjetë herë që po më shani,

a s’ju vjen turp të më poshtëroni?

Edhe po të kem gabuar vërtet,

mua më mbetet gabimi.

A vërtet mendoni se do të ngriheni mbi mua

duke më përmendur mjerimin?

Duhet ta dini, pra, se Perëndia më bëri padrejtësi

e më rrethoi me rrjetën e vet.

Ja, thërras: “Dhunë!”, por nuk marr përgjigje,

kërkoj ndihmë, por nuk ka drejtësi.

Ma ka mbyllur rrugën, që të mos kaloj

e m’i ka zhytur shtigjet në terr.

Ai më zhveshi nga lavdia,

ma hoqi kurorën nga koka.

10 Më rrënoi nga çdo anë e mora fund,

e shkuli si bimën shpresën time.

11 U ndez kundër meje zemërimi i tij

e u soll me mua si ta kisha armik.

12 U mblodhën tok çetat e tij,

çanë udhën drejt meje

e ngritën fushimin rreth tendës sime.

13 Vëllezërit e mi i dëboi larg meje

e të njohurit më janë bërë si të huaj.

14 Të afërmit ma kthyen shpinën

e shokët më harruan.

15 Bujtësit e shtëpisë sime e shërbëtoret e mia

më shohin si të huaj,

i panjohur u bëra në sytë e tyre.

16 E thërras shërbëtorin e nuk më përgjigjet,

mua vetë më duhet t’i bëj lutje.

17 Fryma ime i pështiroset gruas sime,

u neveritem fëmijëve të mi.

18 Edhe çunakët më përçmojnë.

Unë ngrihem e ata më përflasin?

19 Të gjithë këshilltarët e mi më përbuzin

e ata që i doja u kthyen kundër meje.

20 Lëkura më ngjitet në kockë pa mish,

më ka shpëtuar veç mishi i dhëmbëve.

21 Mëshirë, mëshirë për mua, ju miqtë e mi,

se më goditi dora e Perëndisë.

22 Pse më përndiqni, si Perëndia?

A nuk u ngopët me mishin tim?

23 Ah, sikur të shkruheshin fjalët e mia

e të radhiteshin në një libër,

24 sikur të gdhendeshin përgjithmonë në shkëmb

me daltë hekuri e me plumb!

25 Unë e di se gjallë është shpëtimtari im,

se, në fund, nga pluhuri do të ngrihet

26 e, pasi të ma kenë rrjepur lëkurën e mishin,

unë do të shoh Perëndinë.

27 Unë vetë do ta shoh,

sytë e mi do ta kundrojnë e jo një tjetër.

Zemra po më digjet.

28 Ju që thoni: “Si ta përndjekim?”,

se në mua u gjet rrënja e të keqes,

29 trembjuni shpatës,

se furia goditet me shpatë

e do ta merrni vesh se ka një gjyq».