Jobi 16

Jobi beson te drejtësia hyjnore

Jobi u përgjigj e tha:

«Shumë fjalë të tilla kam dëgjuar.

Ju të gjithë jeni ngushëllues të mjerë.

A marrin fund fjalët që i merr era

apo çfarë të ngacmon të përgjigjesh?

Edhe unë do të flisja si ju,

po të ishit ju në vendin tim.

Do të thurja fjalë kundër jush

e para jush do ta tundja kokën.

Do t’ju forcoja me fjalë

e me buzët e mia do ta ndalja brengën.

Po të flas, nuk më fashitet dhimbja,

por as po të hesht nuk më largohet.

Mirëpo ai më këputi,

më la pa shoqëri.

Ti më sfilite e kjo është dëshmia,

edhe krusma ime kundër meje dëshmon.

Me zemërimin e vet më copëton e më përndjek,

dhëmbët kundër meje i kërcëllin,

armiku im gërdhuc sytë kundër meje.

10 E kanë hapur gojën kundër meje,

më tallin e me gjuajnë në fytyrë,

kundër meje janë mbledhur tok.

11 Perëndia më la në dorë të çunakëve,

në duart e të paudhëve më hodhi.

12 Isha mirë, por ai më copëtoi,

më kapi për zverku e më rroposi,

më vuri në shënjestrën e vet.

13 Më rrethuan shigjetat e tij,

pa mëshirë veshkat m’i shqeu,

përtokë ma derdhi vrerin.

14 Më shporon me plagë pas plage

e më vërsulet si luftëtar.

15 E kam qepur grathoren për lëkure,

e kam zhytur ballin në pluhur.

16 M’u mavijos fytyra nga vajtimi

e terri m’i mbuloi qepallat,

17 ndonëse duart e mia nuk bënë dhunë

dhe e dëlirë është lutja ime.

18 Mos e mbulo, o tokë, gjakun tim

e mos zëntë vend britma ime!

19 E kam që tash në qiell dëshmitarin,

është atje lart ai që më del zot.

20 Miqtë më shpotisin

e syri im derdh lot drejt Perëndisë,

21 që ai të gjykojë mes njeriut e Perëndisë

siç gjykon njeriu me njeriun,

22 se i kam të numëruara vitet

e udhës pa kthim po shkoj».