Jobi 13

Jobi kërkon të flasë me Perëndinë

«Ja, gjithçka pa syri im

veshi im e dëgjoi dhe e kuptoi.

Çfarë dini ju e di edhe unë

e nuk jam më pak se ju.

Por unë dua të flas me të gjithëpushtetshmin,

me Perëndinë ma ka ënda të rragatem.

Sa për ju, ju e shihni mashtrimin,

mjekë të padobishëm jeni të gjithë.

Kush do t’ju bëjë të heshtni?

Do të ishte urti për ju.

Dëgjojeni, pra, arsyetimin tim,

vërejeni vetëmbrojtjen e buzëve të mia.

A do të flisnit rrejshëm për Perëndinë

e do të mashtronit për të?

A doni t’i mbani anë Perëndisë

e të arsyetoni për të?

Vallë, do të dilni mirë nëse ju shqyrton?

Apo do ta mashtroni, siç mashtrohet njeriu?

10 Ashpër do t’ju qortojë

nëse tinëz mbani anë.

11 A nuk do t’ju tmerrojë madhështia e tij?

S’do të bjerë mbi ju tmerri i tij?

12 Hi e pluhur janë thëniet tuaja të urta,

mburojë balte mburojat tuaja.

13 Heshtni, që të flas vetë,

e le të më ndodhë ç’të dojë.

14 Pse të ha veten me dhëmbë

e të vë dorë në jetën time?

15 Ja, ai do të më vrasë e shpresë nuk kam,

por para tij do ta mbroj sjelljen time.

16 Ky do të jetë shpëtimi im,

se i pafeu nuk del para tij.

17 Dëgjojeni mirë fjalën time

e vërini vesh shpjegimit tim.

18 Ja, jam gati për gjykim,

se e di se jam i drejtë.

19 Kush është ai që do të kapet me mua,

se jam gati të hesht e të vdes.

20 Vetëm dy gjëra bëj

e nuk do të fshihem prej teje:

21 largo dorën tënde prej meje

e mos më tremb me tmerrin tënd.

22 Atëherë më pyet e unë do të përgjigjem,

ose flas unë e ti m’u përgjigj.

23 Sa faje e mëkate kam?

Ma trego shkeljen e mëkatin tim.

24 Përse e fsheh fytyrën tënde

e më mban për armik?

25 A do ta tmerrosh gjethen që mbart era?

A do ta ndjekësh pas bykun e thatë?

26 Se ti shkruan hidhur për mua

e më ngarkon me fajet e rinisë.

27 Ti më vë prangat në këmbë,

mbikëqyr tërë udhët e mia

e gjurmët e këmbëve m’i heton.

28 Si kalbësirë mbaron njeriu,

si petku që e bren tenja».