Jobi 11

Cofari qorton Jobin

Cofar Namatiti u përgjigj e tha:

«A nuk e meriton një përgjigje fjalëshumi?

A e shfajëson dot veten gojëtari?

Përçartjet e tua a do t’ua mbyllin gojën njerëzve?

Kur ti përqesh askush nuk të korit?

Ti thua: “Fjalët e mia janë të pastra,

jam i dëlirë në sytë tuaj”.

Por, ah, sikur Perëndia të flasë

e të hapë gojën me ty,

të të tregojë fshehtësitë e urtisë,

që e tejkalon mençurinë,

e ta kuptosh se Perëndia ta harron fajin.

A mund t’i gjurmosh vallë thellësitë e Perëndisë?

A mund t’ia nxjerrësh fundin të gjithëpushtetshmit?

Është më i lartë se qielli, çfarë do të bësh?

Më i thellë se skëterra, çfarë do të dish?

E ka masën më të gjatë se toka

e më të gjerë se deti.

10 Nëse kalon, ndal dikë e i bën gjyq,

kush mund ta kthejë?

11 Se ai i njeh shtiracakët

e, kur të shohë ligësinë, a nuk do ta pikasë?

12 Por tutkuni bëhet i mençur,

kur gomari të bëhet njeri.

13 Po ta kthesh zemrën kah Perëndia,

e t’i shtrish duart drejt tij,

14 po ta flakësh ligësinë që ke në dorë

e po të mos selitë padrejtësia në shtëpinë tënde,

15 atëherë do ta mbash ballin lart,

do të qëndrosh fort e frikë nuk do të kesh,

16 do ta harrosh mundimin,

do ta kujtosh si ujërat që shkuan.

17 Jeta jote do të shkëlqejë më shumë se mesdita

dhe errësira do të jetë si agimi.

18 Do të kesh besim, sepse ka shpresë,

do të jesh i mbrojtur e do të pushosh i qetë.

19 Do të shtrihesh e askush nuk do të të trembë,

shumëkush ndihmë do të të kërkojë.

20 Por sytë e të paudhëve do të çarten

e do të tretet prej tyre rrugëdalja,

ndaj do të shpresojnë të japin shpirt».